Petkov: Nuk ka përparim real në marrëdhëniet me Shkupin

Kryeministri bullgar Kirill Petkov, as nuk e konfirmoi as nuk e demantoi informacionin se do të shkojë në Paris para përfundimit të udhëheqësisë së Francës me BE-në, për të gjetur zgjidhje të kontestit në mes Shkupit dhe Sofjes.

Marketing

Ai në një deklaratë për mediat bullgare në Bruksel, ku qëndron për samitin e BE-së, tha se nuk ka hapa real për zgjidhjen e kontestit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nuk mund të konfirmojmë se ka hapa realë. Konfirmojmë një gjë, që duhet të shmanget çdo keqpërdorim i temës. Për çdo gjë që merren vesh diplomatët, ne do të duhet ta kalojmë në Kuvend. Pra, Kuvendi është zgjidhja e fundit, nuk do të ketë asgjë të fshehur për popullin bullgar dhe ne të gjithë do të kemi një vizion të përbashkët”, tha Petkov.

I pyetur nëse pret që kontesti të ketë avancim në ndonjë mënyrë, siç kërkoi presidenti francez Emmanuel Macron, Petkov tha se varet nga Evropa se sa do t’i pranonte kushtet që janë shumë të rëndësishme për Bullgarinë.