Petrov: Rreth 5 mijë zejtarë punojnë pa licenca

Oda e Zejtarëve ankohet se shumë persona kryejnë veprimtari zejtare të palicencuar.

Marketing

Ata kërkojnë nga organet kompetente të merren masa, pasi zejtarët legalë paguajnë rreth 6 mijë denarë kontribute në muaj, derisa dikush afër tyre për të njëjtën veprimtari nuk paguan.

“Kjo i bën dëm edhe buxhetit, sepse njësoj i shfrytëzojnë të mirat nga buxheti si ato që paguajnë kontribute edhe ata që nuk paguajnë. Kërkesat do t’i dërgojmë tek ministria kompetente që rastet të inspektohen dhe të shohin se cilët njerëz po punojnë ilegalisht. Në Shkup, gjithsej janë të regjistruar 5 mijë zejtarë dhe ndoshta më shumë se 5 mijë punojnë ilegalisht”,- tha kryetari i Odës së Zejtarëve-Shkup, Nikolla Petrov.

“Kemi hyrë në një lojë ku nuk ka rregulla. Ne marrim certifikatë për punë, paguajmë kontributet, ndërsa dikush që punon vetëm 10 metra larg nesh dhe është i liruar nga këto të dhëna ndaj shtetit. Mendoj se inspeksioni shumë pak punon në këtë drejtim, sepse dënimet për ne janë deri në 3 mijë euro, ndërsa për ata 150 euro po qese i zënë duke punuar ilegalisht”,- theksoi kryetari seksionit të autodrejtimeve, Sllave Veljanovksi.
Nga Inspektorati Shtetëror Tregtar thonë se zejtarët ilegalisht kryesisht hasen në sektorin e automekanikëve, veprimtarisë kozmetike, frizerëve, apo fotografëve të cilët kryesisht zhvillohen në shtëpi.

Për zejtarët e palicencuar nuk parashihet procedurë administrative, por gjoba me para.

“Nuk kemi procedurë administrative, por megjithatë sanksionohen duke marrë urdhër për pagesë me afat të caktuar dhe nëse nuk paguhet dërgohet në organin për pagesë të detyruar. Dënimi sillet rreth 250 euro për zejtarët e paregjistruar”,- tha Biljana Sërbinovska nga Inspektorati Shtetëror Tregtar.

Po ashtu nga Oda e Zejtarëve, si problem tjetër e theksojnë mungesën e kuadrit të ri, që është i interesuar të punojë në këtë sektor.

Ata apelojnë te Ministria e Arsimit të hapen shkolla të zanateve në arsimin e mesëm, ndërsa te prindërit që t’i drejtojnë fëmijët në profesione ku ka kuadro deficitare.

Sipas kësaj Ode, momentalisht ka nevojë për kuadër nga inxhinieria makinerike, orëndreqës, apo punues të plastikës.