Pivovarov për arratisjen e Gruevskit: Skenar i praktikuar nga funksionarët e Ish-Jugosllavisë

Sipas mediave bullgare, kryeministri i mëparshëm i Maqedonisë, Nikolla Gruevksi është larguar nga Hungaria. Duke u thirrur në burime anonime, ato sot raportojnë se Budapesti ishte vetëm “pit stop” dhe si destinacion i mundshëm përmendet Rusia ose Turqia.

Marketing

Kjo për këshilltarin e mëparshëm për çështje të sigurisë shtetërore, Pivovarov është një skenar i praktikuar edhe nga funksionarët e Ish-Jugosllavisë.

“Kjo është një lojë globale, absolutisht nuk është lojë mes Gruevskit dhe Orban-it, të gjithë e dimë se ka çrregullime tektonike në planin global të Ballkanit, ndikimi i vendeve Perëndimore, ndërsa po shohim se nga ana tjetër Lindja ka dhe obstruksione në këto procese.

Andaj, nuk duhet asgjë të na befasojë, duke i pasur parasysh ngjarjet që ndodhën në Serbi para 20 viteve, ku personat që ishin të përfshirë në krim u larguan në Rusi dhe edhe sot e kësaj dite janë atje, tani janë nën mbrojtjen e shtetit rus”, tha Vlladimir Pivovarov.

Ish-udhëheqësi i sektorit për siguri dhe kundërzbulim Vlladimir Pivovarov, thotë se DSK-ja nuk e ka bërë punën si duhet për të parandaluar arratisjen e Gruevskit. Tani në pozitën e Koordinatorit nacional për udhëheqje me kufijtë, Pivovarov thotë se ish-kryeministri kufirin maqedonas e ka kaluar ilegalisht, por nuk zbulon detaje se a ka arritur të depërtojë përmes pikave të vogla kufitare apo shtigjeve malore.

“Qëllimi i të gjithë shërbimeve të kundërzbulimit është të parandalojnë. Është më e lehtë që të numërojmë të dëmtuarit, të vuajmë dhe të qajmë. Qëllimi i atyre shërbimeve është që të parandalojnë edhe ngjarjet e tilla të cilat janë top tema në vend. Përmes mbledhjes së informacioneve, duket të parandalohet mundësia që të mos diskutojmë tani për pasojat e asaj që ka ndodhur por të diskutojmë për suksesin e shërbimeve tona”, u shpreh Pivovarov.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se deri të hënën pritet që të kompletohet dokumentacioni për procedurën e ekstradimit të nisur pas lëshimit të flet-arrest ndërkombëtar nga MPB. Kurse, dje kryeministri Zoran Zaev deklaroi se pret nga autoritetet hungareze të veprojnë sipas konventave evropiane dhe ndërkombëtare për azil dhe ekstradim të ish-kryeministrit Gruevski.

“Një gjë është e qartë, ka ikur me veturë diplomatike të Hungarisë. Hungaria është një mik i yni dhe më vjen mirë që po vazhdon të na mbështesë në proceset për integrim në BE dhe NATO, shpresoj se kjo mbështetje të vazhdojë. Të gjitha dokumentet që do t’i sigurojmë, prova, argumente, do t’i ndajmë edhe me opinionin publik, do t’i dorëzojmë tek shteti hungarez, por do t’i dorëzojmë edhe tek Unioni Evropian, tek komisari Hahn, dhe tek nënkryetarja e komisionit evropian për politikë të jashtme dhe siguri”, tha Zaev.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë duke hetuar bashkëpunëtorët e brendshëm që i kanë mundësuar ikjen atij, por nuk japin detaje se kush mund të jetë i dyshuar përderisa hetimi vazhdon. Policia e Shqipërisë dhe e Malit të Zi konfirmoi se Gruevski ka depërtuar përmes territorit të tyre, kurse policia e shtetit serb ende nuk deklarohet se nga tranzitoi ai nëpër Serbi për të arritur në Budapest.