Përplasje të theksuara në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa. Pasi Sela mbrëmë në Click Plus komentoi strukturat e Lëvizjes Besa, sot sekretari i përgjithshëm i Besës Arjanit Hoxha ka reaguar me fjalët më të rënda ndaj kreut të Aleancës për Shqiptarët.
“Floktë e gjata e mend e shkurtëra! Ky politikan i mjerë që çdoherë gabon adresat, si duket nuk ka si ta mbulojë humbjen në zgjedhje dhe që për çdo ditë i largohen njerëzit nga partia, disa madje edhe duke u rrahur nëpër zyrat e degëve mes vete, dhe tani ia paska fajin Lëvizja BESA. Ky tip manipulanti dhe soj i politikanëve që duan të jenë lider i krimit dhe strukturave kriminale, duhet të japë llogari për atë që humbjen nuk e kërkon në oborrin e vet por në strukturat e partive tjera”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Besa Arjanit Hoxha në Facebook.
“Njëri anëtar nga tre të pushteti i është thënë përsëri BDI-së, dhe BDI-ja në vendvotimet nga Tetova e poshtë dhe nga Tetova e lart në të cilat vendbanime Lëvizja Besa nuk ka struktura, ju e dini fort mirë që nuk ka struktura, përveç në Tetovë në vendet tjera nuk kanë ndonjë strukturë. Mund të kenë diku në çdo vend nga 10-15 eksponentë por për të bërë anëtar komisioni ti duhet të kesh ta zëmë për një komunë 100 anëtarë, ose 80 ose 60 që ata nuk i kanë realisht. Këto anëtarë komisioni Besës ia ka dhënë Bashkimi Demokratik për Integrim”, deklaroi Ziadin Sela – Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Arjanit Hoxha kërkoi sqarim nga Sela se si është e mundur që në zgjedhjet presidenciale kryetarët e degëve të ASH-së nuk kishin emra të plotësojnë komisionet zgjedhore dhe 5 minuta në 12 nuk e përmbushën numrin edhepse i kërkonin 50% të komisionerëve. Pas reagimit të Hoxhës në Facebook-un e tij, TV21 kërkoi reagim nga Aleanca për Shqiptarët, mirëpo nga atje thanë se nuk është nevoja për kundërpërgjige të re dhe se qëndrojnë në deklaratën zyrtare që ka dhënë dje kryetari i partisë në Click Plus.