Platforma rinore shqiptare e quan skandaloze protestën kundër drejtorit shqiptar

Emërimi i drejtorit Blerim Nebiu, i etnitetit shqiptar, bëri që nxënësit dhe profesorët maqedonas të shkollës së mesme profesionale “Marija Kiri Skllodovska” për dy ditë me radhë ta bojkotojnë mësimin, për të vetmen arsye, se nuk duan që drejtori të jetë shqiptar. Bojkotin siç kanë paralajmëruar ata do ta vazhdojnë deri sa të ndryshohet ky vendim.

Marketing

Ndërkaq, Platforma Rinore Shqiptare protestën e djeshme e quan skandaloze, të pakuptimtë dhe shoviniste.

“Platforma Rinore Shqiptare dhe përkrahësit e saj e ngrisin zërin kundër profesorëve maqedonas në shkollën e mesme‘Marija Kiri Skllodovska’, për protestat e tyre të pakuptimta dhe shoviniste, të shprehura ‘Nie ne sakame direktor albanec’. Nëse ata vazhdojnë kështu, a duhet që edhe ne të fillojmë ‘Ne sakame premier makedonec’. Ne kemi 1001 probleme dhe nuk bëjmë protesta të këtilla”, deklaroi Arbër Kadriu, Platforma Rinore Shqiptare.

Ilir Imeri e krahason situatën e shkollës Marija Kiri Skllodovska me atë të shkollës “Arseni Jovkov”, ku aty 80% e nxënësve janë shqiptarë, ndërsa drejtori është i etnitetit maqedonas dhe siç thotë ai nxënësit e kësaj shkolle asnjëherë nuk kanë protestuar për këtë gjë.

“Duam të ju cekim nxënësve të shkollës së mesme ‘Marija Kiri Skllodovska’, që është e njëjta situatë me shkollën ‘Arseni Jovkov’, që gjendet në Komunën e Butelit, ku 80% e nxënësve, janë shqiptarë dhe vazhdojnë procesin edukativo-mësimor edhe përkundër asaj se drejtori është maqedonas”, deklaroi Ilir Imeri, Platforma Rinore Shqiptare.

Kurse ish nxënësi i shkollës “Marija Kiri Skllodovska”, tregon se sa shumë probleme u kanë shkaktuar paraleleve shqiptare, vetëm përshkak të përkatësisë etnike të tyre.

“Unë si ish nxënës i shkollës së mesme‘Marija Kiri Skllodovska’, kërkoj të kemi të drejta të barabarta si shokët tonë maqedonas, që do të thotë çdoherë kemi qenë të diskriminuar nga ana e tyre. Ne ishim një numër më i vogël dhe ata çdoherë donin një luftë kundër nesh. Na vështirësonin orarin mësimor çdo ditë, që ne të largoheshim prej asaj shkolle”, u shpreh Erblin Xhaferi, ish nxënës i “Marija Kiri Skllodovska”.

Para një dite, në këtë shkollë u mbajtën protesta, nën arsyetimin se kanë përvojë të keqe me paralelet që e zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe.

Kurse kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov tha se Blerim Nebiun e ka emëruar në postin ushtrues detyre drejtor i shkollës “Maria Kiri” dhe se emërimi është bërë duke u respektuar të gjitha procedurat ligjore. Mes tjerash Shilegov potencoi se nuk duhet të ketë hapësirë për revoltë ose çfarëdo lloj trumfalizmi në këtë rast dhe se ai nuk do të lejojë që politika të futet në shkolla.