Po rriten shqetësimet, ndërsa Italia po rihapet

Italia gradualisht po rihapet të hënën pas gjashtë muajve mbyllje me rotacion për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Ky vendim për hapje nuk është duke e kënaqur askënd: Disa thonë se është duke shkuar tepër me kujdes, e disa thonë se po nxitohet tepër.

Duke lejuar që të shërbehet ushqimi në ambientet e hapura është tepër pak, e tepër vonë për pronarët e restoranteve në Itali, mbijetesa e të cilëve po rrezikohet pas masave të shumta kufizuese tash e një vit. Italia ka vazhduar orën policore duke ndaluar lëvizjen nga ora 22:00, gjë që mund të ketë ndikim të keq në industrinë e turizmit, që është duke shpresuar që në verën e dytë të përballjes me pandeminë më në fund të lejohen edhe vizitorët e huaj. Qeveria e Italisë është përballur me presion të madh nga partitë e krahut të djathtë për të rihapur.

Marketing

Mirëpo, virologët dhe punonjësit mjekësorë druhen se plani i rihapjes nga Qeveria e drejtuar nga Mario Draghi, do të rrezikojë një valë të re të virusit, para se të përballohet vala aktuale.

“Për fat të keq, e më është dashur ta përsërisë shpesh: Virusi nuk negocion me askënd. Virusi, për më tepër, ia ka dalë të adaptohet, të bëhet më agresiv e të përhapet më gjerësisht”, ka thënë profesori Massimo Galli nga spitali “Sacco” i Milanos.

Në një pamje, që shumë po i druhen, italianët të dielën – një ditë para zbutjes së masave – mbushën rrugët, sheshet dhe parqet e qyteteve nga Roma në Torino, nga Milani në Napoli, pasi moti i nxehtë ka mbizotëruar në vend.

Duke njohur rreziqet, ministri i Brendshëm i Italisë ka këshilluar forcat e rendit të dielen që të sigurohen që qytetarët të mbajnë distancën sociale dhe të mbajnë maska.

Italia ka shifrën e dytë më të madhe të vdekurve në Evropë si pasojë e COVID-19 pas Britanisë. Janë konfirmuar mbi 119 mijë të vdekur nga COVID-19.

E ekspertët thonë se shifra është e ulët, pasi sipas tyre më tepër italianë kanë vdekur nga COVID-19 në pranverë të vitit 2020, para se të mund të testoheshin.

Të hënën, 15 nga 21 rajonet dhe provincat autonome do të jenë në nivelin më të ulët të kufizimeve sa i përket koronavirusit, ku udhëtimet ndër-rajonale do të lejohen për herë të parë që nga vjeshta. Numri i personave që do të lejohen të vizitojnë shoqërinë dhe familjen në çdo moment do të rritet nga dy për në katër.

Restorantet dhe baret do të jenë në gjendje të shërbejnë ushqim në ambient të hapur. Sportet e kontaktit mund të lejohen po ashtu në ambient të hapur.

Mirëpo, planet për të rihapur plotësisht shkollat e mesme në Itali për gjashtë javët e fundit të vitit shkollor janë në shpërputhje me rregullin e transportit publik dhe është dashur të ulet në minimum 70 për qind të shkollimit me prani fizike për nivelet më të larta.

Katër rajone jugore – Basilicata, Kalabria, Puglia dhe Sicilia – së bashku me Acostan në kufi me Francën në verë mbeten nën masa të ashpra kufizuese.

Ishulli italian Sardinia – i vetmi që ishte pa kufizime në dimër – është futur në zonë të kuqe në mes të prillit pas rritjes së numrit të rasteve. Sardinia është shembull për virologët që duhet pasur kujdes me hapjen.

Fushata e vaksinimit në Itali ende është larg nga plani për vaksinim të 500 mijë personave në ditë, dhe vetëm tash ka lëvizur te vaksinimi i personave të moshave 70-79. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se personat mbi 65 vjet dominojnë në numrin e rasteve të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë.

“Janë dy fjalë që duhet të na udhëzojnë. Besimi, pasi masat kanë funksionuar, dhe maturia. Duhet të bëjmë hap pas hapi, të shohim zhvillimin ditë pas dite”, ka thënë ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza.