Prokuroria Publike Speciale dhe policia financiare po vazhdon të hetojë llogaritë bankare, që mund të jenë të lidhura me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.
Ky i fundit në muajin shtator, para arratisjes për në Hungari, tërhoqi paratë që kishte nëpër llogaritë bankare në Maqedoni. Por me të lidhen edhe 11 milionë euro, para që ditën kur duhej të shkonte në burg, ishin transferuar në Monako, përcjellë INA.
Kjo ka të bëjë me shitjen e koncesionerit për qendrat e dializës “Diamed” në Maqedoni, që dyshohet për lidhje me Gruevskin. Menjëherë pas shitjes së kësaj kompanie për një pronar të huaj, paratë janë transferuar në Monako. Prokuroria Speciale ka kërkuar që të bllokohen këto llogari, por kërkohet bashkëpunim dhe ndihmë ndërkombëtare edhe nga shtetet e tjera ku dyshohet se janë transferuar para në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria Publike Speciale nuk ka zbuluar se në cilët vende ka dyshime se mund të kenë përfunduar para. Kompania “Diamed” është e lidhur me kumbarën e Gruevskit, dhe që paratë i transferoi në Monako. Nga kjo kompani reaguan se llogaritë e tyre nuk janë bllokuar.