Po vjen stuhia/Durrës dhe Vlorë, kapitaneria lajmëron anulimin deri nesër

Udhëtimet e trageteve që nisen apo vijnë nga Bari dhe Brindisi drejt Durrësit dhe Vlorës anulohen për tri ditë për shkak të motit të keq që pritet prej sot pasdite.

Marketing

Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se erërat e forta me drejtim jug-jugperëndim dhe jug-juglindje do të përkeqësojnë motin në bregdet nga sot deri më datë 1 prill. Era me shpejtësi deri në 20 m/s dhe lartësia e dallgës së detit nga 2.5 deri në 4 metër do ta çojnë forcën e detit deri në 8 ballë.

Në këto rrethana, autoritetet detare njoftojnë të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar për të udhëtuar në datat 30 e 31 mars në linjat Durrës-Bari dhe Bari-Durrës duhet të kontaktojnë me agjencitë për rimbursimet apo zhvendosjen e udhëtimeve në data të tjera.

Gjithashtu do të ndalohet edhe lëvizja e mjeteve të vogla të lundrimit dhe peshkarexhave si në Durrës ashtu dhe në Vlorë deri më 1 prill, kur pas orës 22:00 pritet kthjellimi i motit, njoftojnë autoritetet detare./tch