Zëvendëskryeministri Arben Fetai përmes një statusi në rrjetet sociale ka komentuar arrestimin e ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi. Me këtë rast, ai ka ironizuar me deklaratat e përfaqësuesve të BDI-së, të cilët arrestimin e ish-ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi e quajnë politikë.
“Lista e të “burgosurve politikë” të BDI-së po rritet me shpejtësi. Iku edhe Ejup Rustemi për shkak të veprave të shquara kombëtare në pikëpagesat rrugore.
Sa më shumë zbardhet e vërteta, aq më shumë patriotë të BDI-së po zbulohet se kanë pasur dashuri të madhe për arkat shtetërore”, ka shkruar Fetai.
Gjykata penale e Shkupit sot i caktoi masë kujdesi Ejup Rrustemit, pasi u arrestua lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë furnizimit për zgjedhje të kompanisë për sigurimin fizik të 14 pikëpagesave të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.
Dyshohet se dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit është mbi 760 mijë euro.