Policia e Dibrës dhuroi gjak dhe e konfirmoi humanitetin e vet

Në organizim të Sindikatës Policore të Maqedonisë ndërsa në bashkëpunim me Organizatën Komunale të Kryqit të Kuq dhe Institutin për Transfuziologji, sot në Dibër u organizua aksion për dhurimin e gjakut.

Marketing

Edhe kësaj here, si edhe gjatë çdo aktiviteti të tillë, nëpunësit policorë të Dibrës edhe një herë e konfirmuan humanizmin e tyre.

“Kam kënaqësinë që jam këtu në Dibër në një aktivitet të tillë fisnik dhe human. Kolegët tanë edhe kësaj here e dëshmuan humanizmin e tyre duke e dhuruar lëngun e çmueshëm që do të thotë jetë. Përveç në Dibër aksione të tilla do të organizojmë edhe në qytete të tjera në vend”, tha Marjan Kicev, kryetar i sindikatës policore të Maqedonisë.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i sindikatës policore të Maqedonisë, Adrian Telkiu, i cili rrjedh nga një familje dibrane me traditë të gjatë të dhurimit të gjakut edhe sot e shtriu dorën dhe dhuroi gjak.

“Përveç në aksionet e dhurimit të gjakut, ne si sindikatë jemi të përfshirë edhe në shumë aktivitete të tjera në rajonin tonë, veçanërisht pas paraqitjes së pandemisë me Kovid-19, me ç’rast kemi shpërndarë maska mbrojtëse dhe mjete dezinfektimi”, theksoi Telkiu.

Në aksion mori pjesë edhe sekretari i parë i sindikatës, Kire Trajkovski, i cili shprehu falënderim për humanizmin i cili kontribuon në pasurimin e rezervave me njësi gjaku që do të thonë jetë.

Ky është aksioni i katërt për dhurimin e gjakut i organizuar në Dibër për sivjet, në të cilin janë grumbulluar 30 njësi gjaku.

Sipas udhëheqësisë së organizatës komunale të Kryqit të Kuq për shkak të pandemisë me Kovid-19 disa aksione të planifikuara nuk u zbatuan ndërsa në aksionet e zbatuara deri më tani janë grumbulluar 160 njësi gjaku.

Marketing