Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër shtetas të Maqedonisë, tre të kërkuar për rastin “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje” dhe një person i kërkuar me “Urdhërarrest ndërkombëtar”, përcjell TV21.
Përmes një njoftimi Policia e Kosovës bën me dije se tre persona nga të arrestuarit dyshohet të kenë marr pjesë në një incident të armatosur në Ferizaj me datën 17.10.2023 në një lokal në qendrën ” The Village Shopping & Fun “.
“Me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme.
Gjatë verifikimit të personave ka rezultuar se tre personat ishin të dyshuar dhe të kërkuar për rastin në Ferizaj të datës 17.10.2023:
– A.K , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 45 vjeçar, i dyshuar për ” Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje
– S.R , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje
– F.T, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.
Ndërsa, personi B.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 42 vjeçar, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, ka njoftuar policia e Kosovës.
Klan Maqedoni nga burrime të brendshme mëson se të arrestuarit janë: Agim Krasniqi, Sead Ramadani, Fadil Toqi dhe Besim Krasniqi.
Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit janë të njohur si i ashtuquajtur “Grup i Kondovës”./TV21