Policia e Kosovës ka filluar pilot- projektin për pajisje të zyrtarëve policorë me kamera të trupit.
Në njoftimin zyrtare, PK tha se këtë po e bën mbështetur në detyrat dhe autorizimet e policisë të parapara me ligj, si dhe me qëllim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, e po ashtu rritjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë.
“Me qëllim të informimit të qytetarëve dhe opinionit, Policia e Kosovës njofton se nga sot ka filluar faza testuese e përdorimit të kamerave të trupit nga Njësia për Kontroll të Autostradave, për të vazhduar më pas edhe me njësitë tjera policore”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës pas fazës testuese do të njoftojë për fillimin zyrtar të përdorimit të kamerave të trupit, përfshirë edhe dhënien e informacioneve më të detajuara të këtij projekti.
Vite më parë, Policia e Kosovës në mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ICITAP dhe INL), kishte filluar pilot- projektin për pajisje të zyrtarëve policorë me kamera të trupit.