Policia financiare ka ngritur kallëzim penal kundër ish kryetarit të Karposhit, Stevçe Jakimovski, nën dyshime për “ndërtim pa leje” të disa barakave për nevojat e administratës së komunës. Siç shpjegohet në kumtesën lëshuar mediave, Jakimovski kokë më vete ka angazhuar kompani për ndërtim të barakave të reja, në vendin e barakave të vjetra që ishin rrënuar, edhe pse nuk kishte nxjerrë leje adekuate për ndërtim.
Policia Financiare
“Në vend që të pengojë ndërtimet pa leje, kryetari i komunës ka lejuar që objekti i komunës Karposh, ku do të vendosej administrata e komunës, të ndërtohet pa leje për ndërtim, dhe pa dokumentacion arkitektonik-urbanistik”
Jakimovski kishte urdhëruar të nisin punimet dhe të ndërtohen barakat, dhe tek pasi kishin përfunduar ndërtimet, ai kishte nënshkruar akt për legalizim të objekteve të ndërtuara ilegalisht. Por Jakimovski kishte harruar që ligji për legalizimin e objekteve ilegale vlente vetëm për ndërtime të vjetra që janë ndërtuar deri në vitin 2011, e jo për ndërtime të reja. Kështu që statusi i vërtetë i atyre barakave do ishte përsëri ilegale. Policia financiare ka ngritur kallëzim edhe ndaj mbikqyrësit të punimeve nga komuna por edhe ndaj udhëheqësit të kompanisë që i ka zhvilluar ndërtimet. Kallëzimi penal për inxhinierin mbikqyrës është ngritur shkaku se ai është dashur të kontrollojë mbarëvajtjen e projektit, dhe të informojë inspektorin e ndërtimit dhe investitorin për mangësitë eventuale. Por ai nuk ka alarmuar për ndërtimin pa leje. Kallëzimi penal kundër firmës, respektivisht personit përgjegjës në kompaninë që i ka zhvilluar punimet, është ngritur për shkak se nuk ka kërkuar lejen për ndërtim, edhe pse është i obliguar për një gjë të tillë në mënyrë që të sigurohet para se tia nisë punimeve./Shenja