Policia Financiare “vërshon” Lotarinë Shtetërore

Policia Financiare ka kryer kontroll në drejtorinë e Lotarisë Shtetërore në kuadër të një hetimi mbi objektin e shumëpërfolur me vlerë 2.6milion euro. Informacioni pa dhënë më shumë detaje është konfirmuar nga Policia Financiare. Hetimi i referohet marrjeve me qera të disa objekteve kontestuese të cilat sipas hulumtimeve të Radio Evropa e lirë dhe javorja Fokus, objektet e marra lidhen drejtpërdrejt me njerëz të afërt të funksionarëve të BDI-së, përkatësisht djalin e deputetit Ismail Jahoski. Aktet për qirammarje 10 vjeçare në tërësi janë nënshkruar nga drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.
Drejtoria e Policisë Financiare ka njoftuar shkurt se janë konfiskuar dokumente që mund të paraqesin mjet prove, por pa dhënë shumë informacion për shkak të ndjeshmërisë së hetimit.

Marketing

Lotaria Shtetërore së fundi ishte në fokus edhe për shkak të ndryshimeve ligjore të sjella me forcë nga ana e pushtetit me të cilat hapet tregu për lojërat e fatit online, ndërsa nuk mbyllet çështja e kazinove dhe kontrollimi i tyre me qëllim parandalimin e qasjes për moshat e reja. Me vendim të Qeverisë jane formuar edhe tri shoqëri të reja aksionare që do të kontrollojnë lojërat e fatit, ndërsa në bordet e Lotarisë Shtetërore dhe Video Lotarisë së re janë vendosur njerëz partiak dhe struktura që kryesisht janë të punësuar në ministrinë me të cilën udhëheq Artan Grubi.

Opozita disa herë ka alarmuar për parregullsi dhe kurdisje të tenderit, ndërsa zgjidhjen ligjore e kanë kundërshtuar edhe shoqatat e lojërave të fatit. Sipas tyre, Qeveria ka hapur tregun për siç thonë ata “nëntokën bullgare”. Lotaria shtetërore pavarësisht se kishte përgënjeshtruar këto akuza, disa kompani vendase janë tërhequr nga tenderi pasi besojnë se ai është i paraparë për një mafioz bullgar i cili ndodhet në listën e zezë amerikane./Alsat.mk