Policia: Rrugët me barrikada, kufijtë mbesin të mbyllur

Policia e Kosovës njofton se situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë si ditëve të shkuara, me rrugë të bllokuara nga serbët dhe me mungesë të lëvizjes së lirë. E si rrjedhojë, Policia e Kosovës njofton se dy pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak mbesin të bllokuara.

Marketing

“Që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, thuhet se me kohë ndërmerr masat e sigurisë, “masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë”.

“Pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve të raportuara ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar në nivelin dhe moralin më të lartë të kryerjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, në interes të sigurisë së përgjithshme”, thuhet më tej në njoftim.

Policia në njoftim thotë se, ashtu siç e ka theksuar edhe më parë, “do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Sipas policisë, puna e këtij institucioni bazohet në vlerat profesionale, përgjegjëse dhe me integritet, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe i trajton të gjithë qytetarët pa dallime.

“Andaj spekulimet e vazhdueshme nga mediat, kryesisht serbe, se gjoja zyrtarët policorë në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.