Rreth 95 për qind e sipërfaqeve të mbjellura me grurë në rajonin e Pollogut janë korrur. Kësi soji, korrje-shirjet pritet që këtyre ditëve të përfundojnë tërësisht. Deri më 24 korrik, sipas të dhënave që ka siguruar Njësia Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë, gjithsej këtë vit ishin mbjellura 5 mijë hektarë me grurë dhe pjesa më e madhe është korrur, por kanë ngelur vetëm disa parcela më të vogla, shkruan gazeta KOHA.
“Në bazë të dhënave që kemi grumbulluar ne si njësi rajonale nga mullinjtë që bëjnë grumbullimin e grurit nga prodhuesit në rajonin e komunës se Tetovës deri tani janë korrur rreth 95 për qind nga e gjithë sipërfaqja e mbjellur me grurë, por këtu duhet të nënvizojmë faktin se këta të dhëna janë pa e përfshirë edhe rajonin e komunës së Bogovinës, ku edhe atje ka një pjesë të evidencës”, thotë Afrim Sejrani, kryeshef i Njësisë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë. Sipas të dhënave nga kjo njësi gjatë viteve paraprake për një hektarë bujqit kanë marrë edhe nga 3 mijë kilogram grurë, kurse këtë vit ka përmirësim të dukshëm.“Këtë sezon në bazë të informacioneve nga tereni, rendimenti i grurit është më i mirë, ndërsa për një hektarë të mbjellur me grurë, bujqit kanë marrë 4200 kilogram grurë. Sa i takon fuqisë së kokrrës së grurit, apo përmbajtjes së saj në brendi, ka më shumë gluten apo nuk ka, është çështje që pritet të konstatohet pas analizave shtesë”, thekson Sejrani.
Ndërkaq, gjatë vitit 2018, bujqit tetovarë kishin marrë më shumë grurë për një hektarë të mbjellur, apo rreth 4 mijë kilogram. “Mirëpo gruri dhe drithërat tjerë vitin e kaluar kanë qenë të një cilësie më të ulët për shkak se të reshurat e pandërprera të shiut në muajt qershor dhe korrik kanë ndikuar negativisht në cilësinë e grurit dhe drithërat e tjerë”, thonë nga Njësia Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë. Në vitet e mëhershme, respektivisht gjatë 2013 dhe 2014, për një hektarë me grurë të mbjellur, bujqit kanë marrë nga 3700 kilogram, kryesisht nga ndikimi i motit të lig, me reshje të shiut dhe me ngricat në muajt e parë të pranverës. Nga njësia rajonale e Ministrisë se Bujqësisë në Tetovë nënvizuan se në vitin 2017 ishte reduktuar dukshëm mbjellja e grurit si rezultat i kushteve klimatike gjegjësisht vërshimeve që ndodhën në rajonin e Pollogut. Krahas kulturave tjera bujqësore si elb dhe thekër, gruri është një ndër kulturat që më shumë kultivohet në rajonin e Pollogut, kurse në bazë të dhënave zyrtare janë rreth 10 mijë bujq në rajonin e Tetovës dhe komunave rurale të Pollogut të cilët kryesisht kultivojnë gurin dhe misrin, kurse shumë pak janë të përfaqësuara kulturat tjera. Për dallim nga disa vite të kaluara, këtë vit korrja ka filluar në kohë për shkak të motit të mirë. Nga ana e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë thonë se që në pranverë bujqit duhen që të marrin masa mbrojtëse për drithërat e mbjellura, ngase pakujdesia apo lënia pas dore e tyre ndikon në rendimentin e përgjithshëm. (koha.mk)