Polonia “e shkeli ligjin e BE-së” për gjyqtarët

Gjykata evropiane e Drejtësisë konstatoi se vendimi i Polonisë për të zvogëluar moshën e pensionimit të gjyqtarëve ka qenë në kundërshtim me ligjin e Bashkimit Evropian.

Marketing

Polonia tashmë e ka kthyer mbrapsht këtë reformë të vitit 2017 dhe i ka rikthyer gjyqtarët që janë detyruar të pensionohen, për shkak të zemërimit që ka shkaktuar vendimi, si në Varshavë, ashtu edhe në Bruksel.

Gjykata evropiane tha se ka qenë gabim që të ulet mosha e pensionimit për gratë dhe burrat dhe t’i jepet ministrit vendimi përfundimtar.

Ministria e Jashtme e Polonisë u përgjigj duke thënë se ligji tashmë ka ndryshuar.

Aktgjykimi “ka të bëjë me një situatë të vjetër”, tha ajo.

Atëbotë, gjyqtarët meshkuj dhe femra dhe prokurorët në Poloni janë pensionuar në moshën 67 vjeç, por Qeveria polake konservatore e ka zvogëluar moshën në 60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat.

Qeveria e Polonisë, e drejtuar nga Partia Ligji dhe Drejtësia, ka thënë se me këtë vendim ka bërë përpjekje të luftojë korrupsionin dhe t’i zëvendësojë gjyqtarët, karrierat e të cilëve datojnë në epokën komuniste.

Por, sipas kritikëve, qeveria ka bërë përpjekje të emërojë besnikë të saj.

Gjykata, me seli në Luksemburg, tha se, sipas ligjit të BE-së, gjyqtarët dhe prokurorët kanë të drejtë për pagesa të barabarta dhe trajtim të barabartë në punë.

Ajo e kundërshtoi argumentin e Polonisë se po aplikonte diskriminim pozitiv.