Popovski: Ekonomia është në prag të recesionit

Ekonomia e Maqedonisë është në prag të recesionit, pohon ish ministri i Financave i LSDM-së, Nikolla Popovski. Duke komentuar të dhënat për rritjen minimale prej 0.1%, Popovski në intervistë për emisionin “360 Gradë” tha se është i shqetësuar për rritje shumë të vogël të industrisë e cila bën pjesë me 20% në Prodhimin Bruto Vendor.

Marketing

Kjo nuk varet nga ndërhyrja e qeverisë në infrastrukturë, që do të thotë se atje masat qeveritare për vitin 2018 kanë dështuar. Nuk janë zbatuar. A janë vendosur gabimisht? A janë vendosur mirë por nuk janë zbatuar? Mendimi im është se qeveria shpejtë duhet t’i përcaktojë dy shkaqet që dalin nga këto dy gjëra – deklaroi Nikolla Popovski, ish ministër i Financave- LSDM.

Ish ministri i Financave vlerëson se në mënyrë që ekonomia e Maqedonisë ta arrijë rritjen e projektuar prej 3.2% deri në fund të vitit, në tre tremujorët e ardhshëm duhet të ketë rritje prej 4.2%, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në Maqedoni. Në situatë të këtillë, opozita akuzon se si rezultat i politikave të gabuara të qeverisë, madje edhe Banka Botërore e ka korrigjuar projeksionin për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë në 2.3% për këtë vit.

Do të rikujtoj se rritja prej 2.3% është shumë më e vogël se 5% rritje vjetore sa premtoi Zoran Zaev gjatë fushatës në zgjedhjet e parakohshme në vitin 2016…Fiasko në ekonominë e Maqedonisë…ky është realiteti në të cilin jetojnë qytetarët e Maqedonisë – tha Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së

Nga Instituti i Hulumtimeve Ekonomike dhe Politike “Finance think” thonë se numrat statistikor për Prodhimin Bruto Vendor tregojnë se ekonomia plotësisht është lënë pas dore. Nga Qeveria thonë se ngecja në ndërtimin e autostradave është shkaku për rritjen e vogël të ekonomisë në tremujorin e parë. Ata janë optimistë se në tre tremujorët e ardhshëm si rezultat i projekteve të filluara, rritja ekonomike do të përshpejtohet, por për momentin në qeveri nuk kanë qëndrim nëse do ta ulin projektimin për rritje ekonomike prej 3.2% për këtë vit.