Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, pas 17 vitesh, lë shumë për të dëshiruar edhe pse ky dokument ishte paraparë të përmbyllet në afat prej katër vitesh.
Në bazë të dokumentit kornizë të Marrëveshjes së Ohrit i cili i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni gjatë vitit 2001, konfirmohet karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase. Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thonë se pikërisht në këtë drejtim është sfiduar Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar sfidat e zbatimit të Ligjit të gjuhëve me anë të së cilit mundësohet përdorimi më i zgjeruar i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit.
Lidhur me këtë çështje për gati pesë muaj po vazhdon beteja mes Parlamentit dhe Presidencës rreth nënshkrimit të Ligjit të gjuhëve nga ana e presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov.
Vlado Popovski, i cili ishte i kyçur në cilësinë e ekspertit gjatë hartimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht se ai personalisht ndan mendimin se Ligji i gjuhëve ka shumë mangësi teknike dhe do të përballet me shumë probleme gjatë zbatimit, megjithatë ky ligj me pa të drejtë thotë se mbetet i bllokuar nga ana e presidentit të shtetit.
“Ligji i gjuhëve pasi u miratua për herë të dytë në Parlament, presidenti i shtetit është i obliguar ta nënshkruaj të njëjtin. Personalisht mendoj se presidenti në këtë rast ka përgjegjësi politike dhe kur t’i mbarojë mandati ai mund të ballafaqohet me përgjegjësi juridike për shkak të bllokimit të Ligjit të gjuhëve, Kushtetuta është e prerë pasi ligji për herë të dytë merr vizë nga shumica parlamentare Presidenti është i detyruar ta dekretojë pas çka i njëjti duhet të publikohet në gazetë zyrtare dhe fillon zbatimi praktik”, thotë Popovski.