Nënkryetari i BDI-së dhe njëri nga krerët e “Grupit të zjarrit”, Izet Mexhiti në tubimin para qytetarëve të Çairit përmendi ndaljen e rrymës elektrike, me qëllim të pengimit të mbajtjes së këtij tubimi, që sipas tij e kanë bërë kundërshtarët e tyre brenda partisë.
Mexhiti u shpreh se votuesit e BDI-së nuk kanë dhënë votë për Artan Grubin. përcjell KlanM.
“Nëse qytetarët do e kishin ditur se Artan Grubi do të jetë zëvendëskryeministër, BDI nuk do të kishte marrë 15 deputetë dhe nuk do t’i kishte fituar zgjedhjet”, deklaroi Mexhiti.
Më tej, Mexhiti shtoi se ështël e paarsyetueshme që pas gjithë këtij pushteti, dhe funksioneve të marra nga BDI, duke përmendur Bujar Osmanin dhe Artan Grubin, të mungojnë investimet në komunat shqiptare.
“Kjo është dështim total i Artan Grubit. Ne kemi pasur më pak pushtet, më pak ministra e deputetë, në periudhë më të vështirë, por kemi arritur më shumë suksese”, tha Mexhiti.
Ai edhe njëherë kundrështoi hyrjen e AHS-së në qeveri, duke shtuar se kjo është bërë për ta shpëtuar Artan Grubin. Sipas tij, numrat nuk janë shtuar, por kanë ngelur njejtë.
“Mirë që do e ndërroni Bashkim Hasanin e shumë drejtora tjerë, por kush do të mbledhë vota për BDI-në? Për kë do të punojnë ato zëvendësministra e dretjorë që emërohen nga kjo qeveri? Në ditën e zgjedhjeve do të punojnë për BDI-në apo për subjektet e tyre”, deklaroi Izet Mexhiti.