Popullsia e Maqedonisë së Veriut po tkurret – Ja sa banorë pritet të mbesin pas 50 vitesh!

Në 50 vitet e ardhshme popullsia e Maqedonisë së Veriut do të tkurret afërsisht në 1.5 milion banorë. Projeksionet e Entit Shtetëror të Statistikave për demografinë e vendit deri në vitin 2070 tregojnë për një rënie të numrit të përgjithshëm të popullsisë, në rastin më kritik deri në 1.3 milion banorë, shkruan Alsat.

Marketing

Kreu i këtij institucioni, vuri në dukje se në 20 vitet e fundit çdo vit largohen përfundimisht nga 12 mijë shtetas. Sipas Drejtorit Apostoll Simovski edhe rënia e natalitetit do të ndikoj dukshëm në plakjen e popullsisë.

“Faktori kryesor është emigrimi, por qytetarët nuk po ikin sepse nuk mund të fitojnë këtu. Ata po ikin për mundësi reale, për arsimim cilësor, për shëndetësi korrekte dhe për punë më të vlerësuar. Madje edhe për arsye që të nxjerrin aftësitë e tyre në dukje, dhe për aspekte kulturore. Këtu duhet të veprohet që të ndikoj në zhvillimin demografik. Projeksionet nuk janë bërë për përkatësitë etnike sepse duhet një fond më i madh i të dhënave që nuk i kemi, por edhe nuk preferohet sepse është ndjesi individuale e secilit”, tha Apostoll Simovski, Drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.

Në vitin 2002, numri i përgjithshëm i të rinjve nga 15-29 vjeç ishte mbi 480 mijë ose 24% e popullsisë. Në vitit 2021, shifra për këtë kategori ishte 326 mijë ose 18 %. Numri i të rinjve të moshës 15- 29 vjeç është ulur me mbi 150 mijë ose 1/3 brenda 20 viteve, thonë statistikat. Më shumë se 100 mijë qytetarë, të cilët në vitin 2002 ishin nga 15-29 vjeç dhe sot do të ishin 29-35 vjeç nuk janë në vend, nuk janë të regjistruar në regjistrimin e fundit të vitit 2021.

Ky trend përsëritet edhe te fëmijët e moshës 0-9 vjeç, të cilët sot do të ishin 20-29 vjeç, pra 16% e këtij grupi mungon nga regjistrimi i fundit. Për 20 vjet askush nuk bëri asnjë veprim, për 20 vjet dikush na vodhi të ardhmen, tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, i cili tha se kjo është një shenjë e “rezistencës demografike”, por edhe një pasqyrim i qeverisjes.

“Në strategjinë kombëtare të zhvillimit flasim për rritjen e cilësisë së arsimimit në 20 vitet e ardhshme që do ti jepet mundësia secilit që jeton në shtet, kjo është masë direkte. Ata që po emigrojnë, ikin sepse nuk po ju ofrohet mundësia dhe vlerësoj se ky do të jetë prioritet për çdo qeverisje të re ti përmbahet strikt kësaj strategjie për të krijuar mundësi të reja që trendi i emigrimit të ndërpritet për këtë kategori”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Sipas Censusit të vitit 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ishte pak mbi 2 milion banorë përfshirë edhe diasporën, prej të cilëve 1,836,713 janë rezident që jetojnë në vend.

Në numrin e përgjithshëm të popullsisë nga 54,2% janë deklaruar maqedonas, 29,5% shqiptarë dhe pjesa tjetër komunitetet më të vogla etnike. Parashikimet si do jetë përqindja e etniteteve që do të jetojnë pas 5 dekadave në Maqedoninë e Veriut, nuk është përfshirë në projeksionet e Entit Shtetëror të Statistikave./ Alsat.mk

Marketing