Bashkimi Evropian ka përsëritur të premten thirrjet për liderët politikë, në Kosovë dhe Serbi, që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat, të cilat shkojnë në kundërshtim me normalizimin e raporteve mes tyre.
Blloku evropian ka bërë këtë porosi, teksa është përgjigjur në pyetjet lidhur me veprimin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili ka postuar në rrjetet sociale flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës.
Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, si nga qytetarët, ashtu edhe nga politikanë e personalitete, edhe nga vendet tjera.
“Bashkimi Evropian i ka ftuar gjithmonë të gjithë aktorët politikë në Serbi dhe Kosovë, sikur edhe në pjesë tjera të rajonit, që të angazhohen në veprime dhe deklarata, të cilat krijojnë dhe promovojnë atmosferën e pajtimit, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit, e jo ta bëjnë të kundërtën” është përgjigjur një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë.
“Sikur kemi thënë disa herë gjatë viteve të kaluara, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga aktet dhe deklaratat, të cilat kanë efekt të kundërt për normalizimin e raporteve dhe të punojnë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse” ka thënë ky zëdhënësi i BE-së.
Në BE janë në pritje të formimit të qeverisë së re në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Thirrjet nga ana e BE-së për përmbajtje nga deklaratat nxitëse dhe veprimet që nuk janë në frymën e pajtimit kanë ardhur rregullisht sa herë që ndonjë politikan nga rajoni ka bërë veprime, të cilat kanë nxitur reagime nga palët tjera.
Por, BE-ja në të njëjtën kohë, është përmbajtur nga identifikimi i qartë i personave, të cilëve u bën thirrje të tilla, duke preferuar që ato t’i bëjë në mënyrë të përgjithësuar.
Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, parti fituese e zgjedhjeve në Kosovë, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij.