Pozita dhe opozita miratuan 10 amendamente për Ligjin për Prokurorinë

Procesi për miratimin e Ligjit për Prokurori Publike është zhbllokuar.
Palët arritën të harmonizojnë qëndrimet dhe të miratojnë 10 nga gjithsej 51 amendamente për ndryshimin dhe plotësimin e pr/Ligjit për Prokurori Publike, të dorëzuara nga parti të ndryshme në Komisionin për Çështje Evropiane.

Marketing

“Gjatë negociatave me partitë politike arritëm dakordësi për 10 amendamente të cilat i miratuam në procedurë të KÇE-së, kanë mbetur për diskutim edhe 41 amendamente për të cilat do të vijojmë diskutimet, negociatat me propozuesit e amendamenteve gjatë ditës së sotme dhe në momentin që do të kemi dakordësim mbi amendamentet do të vijojmë me seancën e Komisionit për Çështje Evropiane”,- tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi.

Megjithatë, palët vazhdojnë të mbeten të ndara për çështjet kryesore, siç është fati i lëndëve të proceduara nga Specialja dhe materialet që disponon ky institucion si dhe fati i 12 prokurorëve të Speciales dhe zgjedhja e prokurores së Prokurorisë së re. Opozita kërkon që prokurorja e re e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të zgjidhet me propozim të saj.

“Metodologjia e zgjedhjes së prokurorit që do të udhëhiqte Prokurorinë për luftë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, e bashkuar me PPS-në e deritanishme, të bëhet në bazë të kritereve të larta dhe të ashpra me propozim të partisë më të madhe opozitare, me konfirmim nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime dhe me aprovimin e shumicës parlamentare në seancë plenare, pastaj propozimi të dërgohet për konfirmim përfundimtar në Këshillin e Prokurorëve Publikë”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

LSDM konsideron se procesi është zhbllokuar dhe pret përkrahjen e deputetëve të VMRO-DPMNE-së edhe gjatë votimit final të Ligjit për Prokurori Publike.

“Kjo nënkupton se procesi është zhbllokuar dhe jemi nisur drejt miratimit përfundimtar të Ligjit për Prokurori Publike. Konform Rregullores, Kuvendi po mban mbledhje, e cila për momentin seanca është ndërprerë për shkak të nevojës për harmonizimin e amendamenteve të tjera që janë dorëzuar nga parti të ndryshme politike”,- tha Snezhana Kaleska Vançeva nga LSDM.

Ndryshe, Komisioni pranoi 4 nga 14 amendamente të VMRO-DPMNE-së, pesë amendamente të LSDM-së dhe një të BDI-së, ndërkaq hodhi poshtë, si jokushtetues, amendamentin e ASH-së për prokuror të huaj. Partitë politike kanë dorëzuar edhe 16 amendamente për Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, nga të cilat tetë janë nga BDI.