Poznan, 180 mln euro Ballkanit/ Maqedonia dhe Bosnja, përfituesit më të mëdhenj të fondeve të BE

Samiti i mbajtur në Poznan të Polonisë konfirmoi edhe një herë mbështetjen financiare të Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Marketing

Takimi, i cili është në vazhdën e nismës së Berlinit miratoi rreth 180 milionë euro grante për vendet e rajonit. Por jo të gjithë përfituan nga këto para.

Sipas dokumenteve zyrtare të publikuar nga Komisioni Europian, për vitin 2019, Brukseli ka përzgjedhur të financojë 8 projekte investimesh në rajon. Përfituesit më të mëdhenj nga fondet falas të Bashkimit Europian janë Bosnja dhe Maqedonia.

Për Bosnjën, Bashkimi Europian miratoi 94.7 milionë euro grante, për tre projekte të mëdha investimesh në vitin 2019. Ato janë korridori i 5-të, autostrada Poprikuse Memila dhe ajo Rudanka Putnikovo.

Maqedonia e Veriut do të përfitojë 42 milionë euro para falas nga BE për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, hekurudhës me Serbinë dhe nyjën e gazsjellësit me Greqinë.

Kosova dhe Serbia përfituan respektivisht nga 26.8 milionë euro dhe 12.8 milionë euro. Në Kosovë, Brukseli do të financojë rrjetin kombëtar të hekurudhës, ndërsa në Serbi paratë do të shkojnë për linjën 400 kw Obrenovac-Bajina Basta.

Në 5 vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, Shqipëria ishte e vetmja, që nuk përfitoi asnjë fond nga paratë falas të BE-së, ku edhe këtë radhë shkaku ka qenë mungesa e projekteve.

Procesi i Berlinit është një nismë e disa vendeve të Bashkimit Europian, të kryesuara nga gjermania për të mbështetur financiarisht me projekte investimesh në transport dhe energji vendet aspirante për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor.

Që nga viti 2015 kur u lançua kjo nismë, Bashkimi Europian ka financuar 880 milionë euro grante për 6 vende të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria rezulton përfituesi më I vogël me vetëm 78.2 milionë euro.

Marketing