Atmosferë lufte në Lindjen e Mesme. Incidentet e njëpasnjëshme në ngushticën e Hormuzit, kanë rritur ndjeshëm tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Fill pas rrëzimit të një droni iranian nga luftëanijet amerikane, Irani njoftoi se ka sekuestruar një anije naftë-mbajtëse që i përket Britanisë së Madhe, bashkë me 23 anëtarët e ekuipazhit. Provokimet e Teheranit ngjallën reagimin e ashpër të Shteteve të Bashkuara, aleatit më të madh të britanikëve. Presidenti Trump i bëri thirrje Iranit të mos bëjë veprime të pamenduara.
“Për sigurinë e tyre, shpresojmë të mos bëjnë asgjë të çmendur. Nëse e bëjnë do të paguajnë një çmim si askush më parë.”
Trump urdhëroi dërgimin e 500 trupave amerikanë në Arabinë Saudite, bashkë me sistemet raketorë Patriots, për mbrojtjen e flotës amerikane të udhëhequr nga aeroplan-mbajtësja USS Lincoln, që ndodhet në Gjirin Persik.
Edhe ministri i jashtë britanik, Xheremi Hant, paralajmëroi Teheranin për veprimet e tij. “Jemi shumë të qartë se nëse kjo çështje nuk zgjidhet shpejt, do të ketë pasoja serioze.”
As pala tjetër nuk ka ndërmend të tërhiqet. Teherani u kundërpërgjigj menjëherë duke thënë se nuk kërkon luftë, por nuk ka frikë nga asnjë forcë.
Sakaq Britania e Madhe ka urdhëruar ndalimin e të gjitha anijeve tregtare apo naftë-mbajtëse, pasi përplasja ushtarake në këtë pikë është një hap larg.