Teksa BE i sheh me skepticizëm refugjatët afganë, Maqedonia e Veriut ka hapur dyert për ta. Kryeministri Zaev thotë se zemra e vendit tonë, ëhstë ndoshta më e madhe nga ajo e anëtareve të BE-së, sepse e dimë traumën nëpër të cilën ata kalojnë. Theksoi se kostot për ta, do të mbulohen nga Shtetet e Bashkuara, si dhe vende të tjera e organizata joqeveritare, e RMV mbulon vetëm kostot e transportit nga aeroporti i Shkupit, koston e ekzaminimeve mjekësore, testet e PCR, dhënien e vaksinave etj. I pyetur se çfarë statusi ligjor do të kenë këta njerëz dhe nëse do t’u jepet azil, Zaev tha se varet nga dëshira e tyre por pranon se shumica synojnë Perëndimin.
“Ne ndoshta kemi një zemër më të madhe dhe i kemi mbijetuar traumave në të kaluarën e afërt, kështu që vendosëm të pranojmë më shumë qytetarë afganë që largohen nga vendi i tyre. Deri në një mijë ose mbi një mijë njerëz, ndryshe nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Refugjatët do të marrin një qëndrim të përkohshëm deri në 90 ditë, dhe shpenzimet janë kryesisht për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera dhe organizatat botërore. Ne duam të ndihmojmë, ka shumë fëmijë që po evakuohen. Nuk kemi paragjykime, ne vetëm duam të jemi nikoqirë dhe organizatorë të mirë, duam të jemi njerëzorë. Për ata që do të vijnë nga Afganistani, do të jepet një qëndrim i përkohshëm prej 90 ditësh. Ne nuk kemi raste të kërkesave për azil politik, por në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, kërkesa të tilla do të merren parasysh. Disa nga refugjatët që do të vijnë kanë njoftuar tashmë se do të nisen menjëherë për në një vend tjetër, të tjerë se do të largohen brenda 15 ditëve. Sidoqoftë, të gjithë do të marrin një qëndrim të përkohshëm deri në 90 ditë.”, tha kryeministri Zoran Zaev.