“Pray for Albania”,lojtarët e skuadrës spanjolle solidaritet me viktimat e tërmetit

Bota e futbollit vazhdon të solidarizohet me viktimat e tërmetit të rëndë që goditi vendin tonë në orët e para të mëngjesit të së martës. Pas Partizanit e Tiranës, një klub tjetër që iu bashkua nismës për të ndihmuar të prekurit nga kjo tragjedi ishte dhe Bylisi që në bashkëpunim me një kompani biznesi dërguan në drejtim të tyre ndihma me ushqime dhe jo vetëm.Po kështu, solidarizohet në këtë ngjarje edhe Shkëndija e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Klubi kuqezi që të dielën do të luajë ndaj Shkupit për javën e 17 të kampionatit maqedonas, vendosi që të ardhurat që do të sigurojë nga shitja e biletave të dhurohen për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri. Nuk mungoi në këtë moment solidariteti as skuadra spanjolle e Malagës ku luajnë dy lojtarët e kombëtares shqiptare, Armando Sadiku dhe Keidi Bare.

Marketing

Futbollistët e skuadrës andaluziane hynë në fushën e lojës në sfidën me Numancian të veshur me fanela ku shkruhej ‘Pray for Albania’, një gjest ky që është vlerësuar shumë nga mesfushori Bare që e shprehu mirënjohjen e tij në rrjetet sociale.(Keidi bare Instagram).

Në Greqi, klubi i Larisës vendosi të japë kontributin e tij për të ndihmuar të prekurit nga viktimat teksa në një komunikatë bëri të ditur mbledhjen e veshjeve dhe materialeve të tjera si jorganë, jastëkë e dyshekë për t’i dërguar në Durrës. Në të njëjtën kohë, ky klub bëri të ditur edhe arritjen e një marrëveshjeje me drejtuesit e Teutës edhe për zhvillimin e një ndeshje futbolli.Në Kroaci, Kastrati dhe Uzuni patën mënyrën e tyre për të nderuar të prekurit nga tërmeti në vendin tonë.

Dy futbollistët e Lokomotiva Zagreb shënuan në fitoren 4-0 të kësaj skuadre ndaj goricas për t’ua dedikuar ato pikërisht familjarëve të viktimave të tërmetit. Ndërkaq, Federata Shqiptare e Futbollit bën të ditur datat e zhvillimit të ndeshjeve të javës së 14 të Kategorisë Superiore të parashikuara për t’u luajtur këtë fundjavë, por që u shtynë për shkak të tërmetit të fortë që goditi vendin. Në një komunikatë për shtyp FSHF bën të ditur se sfidat e kësaj jave do të zhvillohen në 7 dhe 8-të dhjetor.