Prej nesër punkti në “Prolet” bëhet me termin, shtohen sportelet

Sot është dita e fundit që qytetarët mund të fotografohen për dokumente personale pa pasur nevojë të caktojnë termin në stacionin policor “Prolet” në Kisella Vodë, pasi që nga dita e nesërme punkti do të punojë me 14 stacione bazë, por me termine të caktuara paraprake. Ky transformim, siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, bëhet me qëllim që të vendoset rend në vend të kaosit, të lehtësohet dhe përshpejtohet marrja e dokumenteve personale për banorët e Shkupit.

Marketing

“Nga dita e nesërme (07.02.2024) punkti për fotgrafimin e dokumenteve personale në Prolet, nuk do të punojë pa caktimin e termineve, por do të transformohet në punkt për caktimin e termineve, për të gjithë ata që kanë caktuar termin për fotografim në territorin e qytetit të Shkupit deri në fundin e vitit 2024”.”, thonë nga MPB.

Qytetarët që tashmë kanë caktuar termin do të kontaktohen nga operatori ekonomik përgjegjës dhe do t’u ofrohet një termin i ri në një kohë shumë më të shkurtër. Në të njëjtën kohë, terminet që kanë mbetur të zbrazëta, nga pastrimi i listës, do të përdoren për rezervimet e ardhshme.

Gjithashtu nga MPB informojnë se nga data 12 shkurt qytetarët mund të caktojnë termine për fotografim, edhe në ndërrimin e dytë.

“Njoftojmë qytetarët se në ditët në vijim caktimi i termineve për fotografimin e dokumenteve personale do të bëhet vetëm përmes telefonit, ndërsa për shkaqe teknike caktimi i termineve përmes formës elektronike nuk mund të realizohet në ditët ne vijim”,thonë nga MPB.

Punkti në “Prolet”, i cili deri më sot funksionon pa termine, u hap me synim për të lehtësuar procesin e marrjes së dokumenteve personale. Meqë ishte pa termin qytetarët pritnin me orë të tëra për të zënë radhën.

Pas datës 12 shkurt, dokumentet e vjetra të udhëtimit do të jenë të pavlefshme për përdorim jashtë vendit.