Prej shtatorit rrogat e arsimtarëve më të larta për 5 %

Të gjithë mësimdhënësit e shkollave fillore, të mesme dhe të arsimit të lartë, në pagën e shtatorit do të kenë rritje prej 5%. Ashtu siç ishte paralajmëruar, tashmë ky propozim ishte miratuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë dhe të punësuarit e arsimt do të kenë pagë më të lartë.

Marketing

“Në mbledhjen e 150-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shqyrtoi dhe miratoi Informatën për rritjen e pagave në arsimin fillor të mesëm dhe të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për 5 për qind, duke filluar me pagesë nga shtatori i vitit 2019 dhe e angazhoi ministrin për Arsim dhe Shkencë Arbër Ademin t’i nënshkruajë marrëveshjet me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, për të realizuar rritjen e parashikuar të pagave”, thonë nga Qeveria.

Me këtë vendim Qeveria bënë të ditur se në mënyrë plotësuese e ka angazhuar ministrin për Arsim dhe Shkencë që të përpilojë zgjidhje për koeficientet e rinj për rritjen e pagave edhe tek institucionet e arsimit të lartë publik dhe institutet publike shkencore për 5 për qind, duke filluar me pagesën e pagave për muajin shtator të vitit 2019.

Mirëpo ky vendim nuk ishte mirëpritur nga Sindikata Pavarur për Arsim dhe Shkencë. Ata para disa ditëve reaguan duke thënë se ky propozim për ta nuk është i mjaftueshme dhe kërkuan që së paku të kenë rritje sa të punësuarit nëpër kopshte, të cilët së fundi fituan rrije të pagave për 21%.
Ata madje thanë se pagat e ulëta ndikojnë edhe në demotivim për të studiuar këtë fushë dhe kjo si pasojë sjellë zbrazjen e kuadrove. Me këtë rast, ata alarmuan se ekziston mundësia që në disa shkolla të ulen orët mësimore, por edhe të hiqen lëndët plotësisht, pasi nuk kanë ligjerues të lëndës së matematikës, kimisë dhe fizikës.