Premier Liga është e vendosur për ta mbyllur sezonin aktual deri në fund të muajit korrik.
Sezoni në Angli u ndërpre prej Koronavirusit dhe ndeshjen e fundit të Premier Ligës e ka luajtur 6 javë më parë. Shumë konfuzion pati fillimisht me fatin e sezonit, por The Sun zbulon se shefat e Premier Ligës kanë mbështetur versionin për t’i luajtur 92 ndeshjet e mbetura deri në 31 korrik dhe plani është për të nisur më 8 qershor.
Ky është vullneti i dakordësuar gjatë bisedimeve treditore që UEFA mbajti me aktorët përgjegjës këtë javë.
Një marrëveshje është arritur edhe për luajtjen e ndeshjeve të mbetura të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës gjatë muajit gusht, përpara se të nisë sezoni i ri.
UEFA njoftoi ditën e djeshme se nëse kampionatet kombëtare do të dështojnë që të mbyllen këtë sezon, atëherë skuadrat që do të kualifikohen në Champions sezonin 2020- ‘21 do të përcaktohen në bazë të meritës sportive dhe jo koeficientit të UEFA-s.
Kjo do të thotë se 4 skuadrat e para që do të shkojnë në Champions janë sipas renditjes aktuale: Liverpuli, Mançester Siti, Lestër Siti dhe Çelsi.