Presidenca e BE-së udhëhiqet me moton “Një Evropë që mbron”

Nga nesër presidencën e radhës së Bashkimit Evropian e merr Austria, e cila do ta udhëheq këtë institucion për gjashtë muaj.

Marketing

Menaxhimi i çështjes migratore, që ishte objekt i një marrëveshje të brishtë në samitin e zhvilluar në Bruksel, do të jetë puna prioritare e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian.

Austria për presidencën e saj të tretë të BE-së ka zgjedhur moton “Një Evropë që mbron”, duke iu bashkuar shqetësimeve të shumicës së vendeve anëtare.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz deklaroi sot se qeveria e tij do të përdorë presidencën e BE-së për ta bërë bllokun më të sigurt, duke shtuar se vendi i tij kërkon të jetë një ndërtues urash në BE dhe të reduktojnë tensionet brenda Evropës.

Gjatë një fjalimi në samitin që është duke u mbajtur në qytetin e Shladming, për të shënuar momentin ku vendi i tij merr presidencën e radhës më 1 korrik, Kurz deklaroi se qeveria e tij, gjatë periudhës gjashtëmujore, do të promovojë “Një Evropë që mbron”.

Kjo presidencë do t’i mundësojë qeverisë austriake, të përbërë nga një koalicion që përfshin ekstremin e djathtë FPO, mundësinë për të përcaktuar axhendën e saj ndërkohë që blloku po përballet me probleme në lidhje me fluksin e emigrantëve dhe menaxhimin e kufijve të brendshëm dhe të jashtëm.

Ndryshe, Austria, për shkak të pozicionit qendror në Evropë dhe historisë së saj, mbështet një integrim më të lartë në BE të fqinjëve të saj të Ballkanit Perëndimor dhe e paraqet si një prej prioriteteve të presidencës së saj të BE-së.
Ajo insiston mbi rëndësinë e stabilitetit të fqinjëve të saj dhe mbështet idenë e një paraaderimi të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore në BE.

Marketing