Presidenca me OSBE-në, Osmani: Po ngremë pozitën në rrafshin ndërkombëtar

Nën moton “Për njerëz bëhet fjalë”, Maqedonia e Veriut fillon presidencën me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Si popull që kemi njohur vuajtjen, ministri i jashtëm Bujar Osmani tha se kryesimi do të ketë në fokus kthimin e dinjitetit të njerëzve si dhe rivitalitetin e paqes. Sqaroi se buxhetit shtetëror do t’i kushtojë 5 milionë euro timoni një vjeçar me OSBE-në. Sundimi i ligjit, korrupsioni, migracioni dhe ndryshimet klimatike do të jenë dimensioni tjetër i temave që ka vendosur vendi t’i diskutojë me shtetet anëtare të OSBE-së.

Marketing

“Ne e dimë si, ne e dimë pse dhe kujtoj se ka ardhur koha që ne t’i kthejmë borxhin komunitetit ndërkombëtar për atë që ka bërë për ne, e tani ne të kontribuojmë për paqen.”, – deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Udhëheqësia me këtë organizatë të sigurisë do t’ia rris performancën e diplomacisë së vendit ,thotë Osmani, ndërkaq si kritere përzgjedhëse sipas tij janë marrë modeli i brendshëm multietnik, rritja e demokracisë dhe zgjidhja e konflikteve me fqinjët.

“Kjo flet për kapacitetet tona të brendshme këtu. Kultura jonë e kompromisit me fqinjët, zero çështje të hapura në rajon, na bën të konsiderohemi të pjekur, që një vend i vogël, nga një rajon i vështirë i cili deri më sot konsumon shërbimet e OSBE-së, tani merr rolin e drejtuesit. Kjo është jo vetëm mirënjohje, por edhe lansim serioz i pozitës ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe mirënjohje për diplomacinë e vendit.”, – theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Ministri Osmani foli edhe për mënyrën e zgjedhjes së personave të pajisur me kartën M. Tha se identifikimi i tyre është bërë nga ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendit në diasporë dhe më pas lista i është dorëzuar ministrisë si propozim. Osmani do ta shfrytëzojë rrjetin me këta njerëz të suksesshëm për t’i angazhuar për punë të ndryshme që favorizojnë politikën e vendit.

Marketing