Pete Buttigieg, është tërhequr nga gara për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.
“Në këtë pikë të garës, mënyra më e mirë për të besuar në qëllim edhe ideale, është që të largohem dhe të ndihmoj në bashkimin e partisë dhe shtetit tonë. Prandaj, sonte, po e marr vendimin e vështirë për ta pezulluar fushatën time për president”, u ka thënë Buttigieg mbështetësve të tij në Indiana.
38-vjeçari e pati nisur fuqishëm fushatën e tij, duke fituar në rrethin e parë zgjedhor në Ajoa. Megjithatë, “BBC” shkruan se ai ka hasur vështirësi të krijojë koalicione më të gjera, pasi ka arritur të ketë pak mbështetje në mesin e votuesve me ngjyrë, një nga pikat kryesore të mbështetjes që gëzojnë demokratët.
Sondazhet tregojnë që largimi i tij nga gara mund t’iu vijë në ndihmë kandidatëve të tjerë në garë, veçanërisht Joe Bidenit dhe Mike Bloombergut.
Nga ana e tij Buttigieg nuk ka deklaruar hapur kë mbështet, por ka paralajmëruar që nëse Bernie Sanders fiton besimin e demokratëve, presidenti aktual amerikan, Donald Trump do të qëndrojë edhe katër vjet në pushtet.
Numri i kandidatëve demokratë që garojnë për nominim për president tani ka rënë në gjashtë. Në mesin e tyre janë, Joe Biden, Bernie Sanders, Mike Bloomberg, Elizabeth Warren, Amy Klobuchar, dhe Tulsi Gabbard.