Presidenti Biden, një ton i ri me aleatët

Kjo javë shënon 100 ditët e para të Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe, qysh tani, aleatët evropianë po e vërejnë ndryshimin në marrëdhëniet e tyre me Uashingtonin. Por, si po shihet administrata e re nga përtej Atlantikut?

Ndryshimi në ton mes dy anëve të Atlantikut është i prekshëm. Presidenca e Joe Bidenit ka sjellë një ndryshim rrënjësor brenda aleancës dhe Evropa e ka mirëpritur ngrohtë këtë transformim, thotë analistja Leslie Vinjamuri.

Marketing

“Ai dëshiron të punojë në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët e Amerikës, sidomos me ata në Evropë. Prandaj, mendoj se kjo ka qenë me rëndësi absolutisht të madhe. Po ashtu fakti që zoti Biden u tregua kaq i shpejtë për ta sjellë Amerikën përsëri në institucionet kyçe shumëpalëshe, për ta angazhuar Amerikën në çështjet e klimës dhe të shëndetit,” thotë Leslie Vinjamuri në Chatham House të Londrës.

Shtetet e Bashkuara janë ribashkuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe marrëveshjen e Parisit për klimën. Sekretari i Shtetit i zotit Biden ka vizituar dy herë Brukselin, duke nënvizuar mbështetjen për NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Uashingtoni u është bashkuar gjithashtu bisedimeve që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 për Iranin, që Evropa e sheh si triumf të diplomacisë së saj. Ish administrata Trump u tërhoq nga marrëveshja, të cilën e shihte si mjaft difektoze.

Presidenti Biden gjithashtu ka një qasje të re ndaj rivalëve të Amerikës, duke e etiketuar homologun e tij rus Vladimir Putin si “vrasës” dhe duke i vënë dy herë sanksione Moskës.

“Sanksionet e reja ishin disi më serioze sesa ato të vëna nga Donald Trump gjatë katër viteve të mëparshme. Rusia u irritua dhe qeveria ruse nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte”, thotë Pavel Sharikov, i Institutit rus për Studime Amerikane dhe Kanadeze.

Ndërkohë, Rusia ka dërguar mbi 100 mijë trupa në kufirin me Ukrainën, gjë që u pa gjerësisht si një provë për Presidentin Biden.

“Ai e di se në mënyrë të pashmangshme, Rusia por edhe Kina dhe të tjerët, do ta venë në provë një president të ri me një krizë ose një konfrontim që nuk ishte parashikuar në fillim të presidencës. Dhe mendoj se Presidenti Biden vendosi t’i dalë përpara kësaj dhe të lëvizte në tabelën e shahut para se ta bënin fuqitë e tjera. Ai u dërgoi atyre një mesazh se vendi ka një udhëheqje të re,” thotë analisti Larry Sabato, i Universitetit të Virxhinias.

Në Moskë, rusët që folën me Zërin e Amerikës thanë se marrëdhëniet me SHBA janë përkeqësuar nën Presidentin Biden.

“Nuk më pëlqen ai, sepse më duket mjaft agresiv ndaj Rusisë,” thotë Jury, banor i Moskës.

“Di që ai nuk është shumë pozitiv për Rusinë. Kjo është e vetmja që di,” thotë Natasha.

Sa i përket Kinës, administrata Biden ka akuzuar Pekinin për ‘akte gjenocidi’ kundër popullatës ujgure në provincën Xinjiang. Kina i mohon akuzat.

Këtë javë, presidenti i SHBA njohu si gjenocid vrasjen nga Turqia të rreth një milion armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Këto janë vendime me pasoja për të ardhmen, nuk do të jetë e lehtë as marrëdhënia me Turqinë, as ajo me Kinën, pra për të ndjekur një lloj bashkëpunimi që është jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për botën por edhe për vetë administratën Biden. Pra, çështja është e komplikuar. Dhe ne të gjithë do të presim të shohim se ku do të bëhen kompromiset,” thotë analistja Leslie Vinjamuri.

Analistët thonë se tani për tani, Presidenti Biden është ende duke shijuar një muaj mjalti politik me aleatët evropianë./VOA