Presidenti Erdogan sot për vizitë në Mal të Zi

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Mal të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Erdoğan duhet të mbërrijë në Aeroportin ‘Golubovci’ në orët e paradites i shoqëruar nga një delegacion. Pasi të mbërrijë në Podgoricë, presidenti turk do të shkojë në Cetinje, ku do të pritet nga presidenti malazez Milo Gjukanoviç me nderimet më të larta shtetërore.

“Pasi të regjistrohen në librin e mysafirëve, bisedës dhe takimit, presidentët do të japin deklarata për publikun”, u njoftua nga kabineti i Gjukanoviçit.

Është planifikuar që Gjukanoviç me bashkëshorten të shtrojnë një drekë solemne në nder të mysafirit të lartë dhe bashkëshortes së tij. Përveç anëtarëve të delegacioneve, të ftuar në drekë do të jenë zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, kryetari i Cetinjes, Aleksandar Kashçelan, kryetari i Partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviç dhe Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziç.

Në një program të veçantë, zonja e parë e Malit të Zi, Lidija Gjukanoviç do të presë zonjën e parë të Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan. Ato do të vizitojnë Muzeun e Mbretit Nikolla në Cetinje dhe një ekspozitë në platonë para muzeut.

Erdoğan gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiq dhe kryeministrin Zdravko Krivokapiç ndërsa është planifikuar edhe vizitë në Xhaminë e Nizamit dhe Medresenë “Mehmet Fatih”.