Presidenti i shtetit takon”Grupin e Ohrit” dhe përfaqësues të NATO-s

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot në Ohër u takua me një pjesë të pjesëmarrësve të konferencës “Dialogu i Ohrit”.

Marketing

Në takimin me Xhorxh Robertstonin, kryesues i Grupit të Ohrit dhe ish-sekretar gjeneral i NATO-s, presidenti Pendarovski iu falënderua për mbështetjen e deritanishme të cilën ai personalisht, por edhe Grupi i Ohrit si tërësi e pa rezerva ia kanë dhënë Maqedonisë së Veriut.

Në margjinat e “Dialogut të Ohrit”, presidenti Pendarovski u takua edhe me personat kyç të Këshillit Atlantik dhe përfaqësues të lartë të NATO-së, respektivisht Aleksander Bershbou, Dejmon Uillson, Mark Lejti, Xhorxh Bazbi dhe Aleksandro Minuto-Rizo.

Presindeti Pendarovski, njoftoi kabineti i tij, ka shprehur kënaqësi nga ratifikimi i shpejtë i protokollit aderues për anëtarësimin e barabartë të Maqedonisë së Veriut në NATO. Ai ka theksuar se protokollin për anëtarësim të vendit në NATO, në parlamentet e tyre ka mbetur ta ratifikojnë edhe tre shtete, gjegjësisht Franca, Holanda dhe Spanja.

Në këtë takim presidenti Pendarovski e ka riafirmuar qëndrimin se alternativë e vetme e Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Rruga deri te Aleanca është para përfundimit. Duke u bërë anëtari i 30 –të i NATO-s, do të jetë e garantuar siguria e Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar presidenti Pendarovski dhe ka shtuar se “alternativa e vetme për shtetin është anëtarësimi i barabartë në NATO dhe BE”.

Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski ka nënvizuar se dhe krahas zhgënjimit të fundit për mosmarrjen e datës, Maqedonia e Veriut para se gjithash, për shkak të qytetarëve të saj, patjetër me tempo të shtuar duhet t’i përfundojë reformat e filluara. Në këtë mënyrë presidenti Pendarovski, konkludoi se do të krijojmë shoqëri me vlera evropiane.