Presidenti i Republikës së Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Elizabeta Gjorgievska, pranoi përfaqësues të Festivalit Ndërkombëtar Gjithëpërfshirës të Dramës “Lojëra pa maska 2019” që në nëntor, për herë të gjashtë, do të mbahet në Shkup, në organizim të Shoqatës së qytetarëve “Botë e të ndryshmëve, por të barabartë”.
Drejtoresha ekzekutive e festivalit, Gordana Simonovska Momiroska dhe drejtoresha artistike e Festivalit, Snezhana Koneska Rusi e informuan Pendarovskin për aktivitetet e parashikuara përgatitore në prag të festivalit, i cili do të zgjas katër ditë dhe në të cilin do të ketë pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Bullgaria, kumtuan nga Kabineti i presidentit.
Qëllimi i projektit siç thuhet në kumtesë, është realizimi i të drejtës ligjore të personave me handikap për kyçjen aktive të tyre në ngjarjet kulturore, realizimin e trajnimeve inkluzive dhe punëtori për përgatitjet e tyre dhe pjesëmarrje në veprat dramatike dhe performime muzikore skenike me prezantim përfundimtar në skenë teatrale.
Presidenti Pendarovski u ka dhënë mbështetje të fuqishme për mbajtjen e festivalit dhe shprehi pritjen se në realizimin e projektit do të kyçen individë, institucione dhe kompani me përgjegjësi shoqërore, që do të kontribuojë për përforcimin e vetëdijes dhe sensibilizimin e qytetarëve për pranimin e personave me handikap në mjedisin e tyre të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm.