Presidenti ukrainas Zelensky takohet me liderët europianë në Kiev

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, është në një takim me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell.

Marketing

Takimi po zhvillohet në Kiev, tha zyra e Zelensky në një deklaratë këtë të premte.

“Bisedimet do të zhvillohen në një rreth të ngushtë, pas së cilës kreu i shtetit dhe përfaqësuesit e BE-së do të bëjnë deklarata për mediat ukrainase dhe të huaja dhe do t’u përgjigjen pyetjeve të tyre”,-thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Borrell dhe von der Leyen mbërritën në Ukrainë ditën e sotme.

Gjatë një vizite në Bucha, von der Leyen tha se përgjegjësit për mizoritë e kryera atje “do të sillen para drejtësisë”.

“Ishte e rëndësishme të filloja vizitën time në Bucha. Sepse në Bucha u shkatërrua njerëzimi ynë. Ata që janë përgjegjës për mizoritë do të sillen para drejtësisë,”-tha von der Leyen në llogarinë e saj zyrtare në Twitter të premten.

“Lufta juaj është lufta jonë. Unë jam sot në Kiev për t’ju thënë se Evropa është në anën tuaj,”-shtoi ajo.