Prezantohet propozim-buxheti për vitin 2019

Vitin e ardhshëm për 600 milionë euro do të rritet borxhi publik i shtetit. Kjo parashihet në buxhetin e ri që sot e prezantoi ministri i financave, Dragan Tevdovski dhe kryeministri Zoran Zaev. Me gjysmën e këtyre mjeteve do të financohet deficiti buxhetor që është 300 milionë euro, 200 milionë euro nga huamarrja do të shkojnë për kredinë e bankës kineze “Eksim” për autostradën Kërçovë- Ohër, ndërsa 100 milionët e mbetur do të jenë për kredi për rrugë lokale dhe rajonale. Sipas buxhetit, borxhi publik prej 48,2% sa është aktualisht, parashihet të rritet në 54,2%.

Marketing

“Nëse i referohemi tani borxhit publik, ai është 48,2% dhe është shumë më i ulët nga ajo që e kemi publikuar në strategjinë fiskale, për këtë shifra që qarkullon në opinion si projeksion për vitin e ardhshëm prej 54%, vlerësimi jonë në Ministrinë e financave është se do të jetë shumë më e ulët”, deklaroi Dragan Tevdovski- ministër i Financave.

Shteti planifikon që vitin e ardhshëm të grumbullojë më shumë para prej tatimeve dhe kontributeve. Nga tatimi progresiv janë planifikuar të ardhura plotësuese prej 24,3 milionë euro. Nga kontributet e rritura për pension priten të hyra prej plus 17 milionë euro në buxhet.

Ndryshe, përkundër realizimit katastrofal për sivjet, për investime kapitale janë parashikuar 418 milionë euro, pjesa më e madhe për ndërtimin e gazifikimit dhe hekurudhës drejt Bullgarisë e cila tashmë tre vite është e ndërprerë. Qendra e re klinike nuk do të fillojë të ndërtohet as vitin e ardhshëm meqë ende kërkohet vendi për këtë. Kryeministri Zaev, nga ana tjetër, buxhetin për vitin 2019 e quajti buxhet për jetesë më të mire. Megjithatë, të gjithë ministrat nuk kanë marrë aq para sa kanë kërkuar.

“Për shkak se buxheti ka një kornizë të kufizuar dhe në fakt nuk e meriton në pjesën e realizimit të investimeve kapitale …”, tha Zoran Zaev.

Për vitin e ardhshëm parashikohet rritja ekonomike prej 3.2 për qind, të ardhurat totale parashikohen në 3.4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet janë 3.7 miliardë, deficiti buxhetor 2.5 për qind. Pagat e administratorëve vitin e ardhshëm do të rriten me 5%, dhe kjo rritje për infermieret do të jetë e vlefshme nga muaji janar. Si një masë për të ndaluar largimin, mjekët specialistë do të marrin paga më të larta për 10%, që do të thotë paga e tyre do të arrij deri në 90 mijë denarë.

Marketing