Prindërit kërkojnë paralele shqip në Idrizovë

Në vend se të ulen në bankat shkollore, 13 fëmijët shqiptarë të Idrizovës bashkë me familjarët e tyre protestuan para Komunës Gazi Babë të Shkupit. Kreut të kësaj komune, siç thanë banorët, ia kujtuan se nuk heqin dorë nga hapja e paraleles shqip për klasën e gjashtë. Çdo zgjidhje tjetër e mundshme për banorët është e papranueshme.

Marketing

“Kur ishte në zor na lutej të gjithëve me ja dhanë votën, e tash me këtë deklaratë që ai po e bën është turp për komunën e tij”, tha një banor.

“Do të luftojmë deri në fund për gjuhën tonë, për gjuhën shqipe. Nuk mundet me regjistru prej shqipes në maqedonisht edhe me humb gjuhën tënde”, deklaroi një banor.

“Protesta më shumë do të bëjmë edhe do të jenë më agresive, nuk do të jenë sikur tash”, u shpreh një banor.

“Shkolla veç më ekziston. Vajza ime i ka 50 vjet, ka mësu shqip. Tre fëmijë i kam pas, kanë mësuar shqip. Unë nuk e di çka janë tu dasht edhe kush është fajtor. Si e ka emrin ky, Bobi Stefkovski, çka po të pengon ty, çka është problemi, përse nuk do me leju. Nëse nuk do le ta mbyll edhe prej të parës deri të pestën, lirisht”, tha një banore.

Këshilli i prindërve takoi kreun e komunës, Bobi Stefkovski. Siç thanë prindërit nga takimi dolën duar bosh dhe me përgjigjen se paralelja shqip nuk do të hapet por se po punohet në nismën për ndërtimin e një shkollës së re në Idrizovë. Sipas Stefkovskit, nisma me lokacion tashmë është dorëzuar në Qeveri, Ministrinë e Transportit dhe atë të Arsimit.

“Nuk na dha ofertë por tha qysh kanë mësuar deri sot të tjerët le të mësojnë edhe këta të tjerët deri në ndërtimin e shkollës. Ose maqedonisht ose dërgoni mbi 40 km, ne do të shkojmë me realizimin e projektit të shkollës së re, paralele nuk ka”, deklaroi Rizvan Seferi, këshilli i prindërve.

“Nuk mund të lejojmë hapjen e një paralele ndërsa të tjerët të mësojnë në shkolla tjera. Gjendja faktike në shkollën fillore “Njegosh” është se kushte hapësinore nuk kemi për momentin. Dëshmi për këtë është se mësimi në këtë shkollë zhvillohet në ndërrimin e parë dhe mësim shtesë në mes ndërrimit”, u shpreh Bobi Stefkovski, kryetar I Komunës Gazi Babë.

Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë më shumë se një dekadë kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Edhe në vitin 2019, Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në këtë fshat ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshati, vendim i cili mbeti vetëm në letër dhe asgjë më shumë. /Alsat.mk