Duke u përpjekur që të kuptojë se pse nuk është preferuar titullar në asnjë ndeshje, “Panorama Sport” mëson se Ismajli ka shkëmbyer disa argumente me trajnerin Silvinjo në lidhje me lënien në stol.
Nga ana tjetër trajneri ishte i bindur për të vazhduar me Ajetin dhe ashtu veproi, ndërkohë në kualifikuese ka qenë Ismajli si zgjedhje e parë e brazilianit, por gjatë përgatitjeve të Europianit situata ndryshoi dhe në të trija ndeshjet, me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, Silvinjo luajti me dyshen Gjimshiti-Ajeti.
Qendërmbrojtës të tjerë ishin edhe Enea Mihaj apo Marash Kumbulla.
Normalisht Ismajli, edhe pse i përmbajtur duke mos dalë nga kornizat, nuk mund të mos e shprehte pakënaqësinë për mosaktivizimin.
Ai ka zgjedhur të kuptojë se pse nuk po luan nëpërmjet një shpjegimi që mund t’i jepte trajneri.
Sipas burimeve të gazetës, mbrojtësit nuk iu komunikua kurrë nga Silvinjo shkaku pse ai nuk po luan.
50- vjeçari e ka kaluar “thatë” këtë situatë, për ta lënë që të kuptohet se ka zgjedhur Ajetin përpara Ismajlit dhe këtu merr fund diskutimi.
Ndërkohë jo pak zhurmë ka bërë postimi i babait të futbollistit në rrjete sociale i cili akuzonte me fjalë shumë të rënda për mosaktivizimin e djalit të tij.
Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, duke qenë se Liga e Kombeve është mbrapa derës dhe gjithmonë nëse Silvinjo vazhdon në krye të Shqipërisë, një gjë është mëse e sigurt: marrëdhënia e trajnerit me Ardian Ismajlin nuk do të jetë si më përpara dhe mes tyre ka patur një “krisje”