Pritet takim Zaev- Ahmeti për fillim të “fshesës”

Kur saktësisht do të fillojnë ndryshimet në strukturat udhëheqëse në nivel ministror, në institucione shtetërore, komuna ku shteti është i përfaqësuar me disa institucione shtetërore dhe kur do të niset me “fshesën” e paralajmëruar varet nga takimi që kryeministri Zoran Zaev duhet ta ketë me partnerin e koalicionit Ali Ahmeti.

Marketing

Dje nga Qeveria thanë se tani për tani ende nuk është konfirmuar termini për takim të kryeministrit Zaev me liderin e BDI-së Ahmeti lidhur me rikonstruimin e paralajmëruar qeveritar.

“Në këtë moment nuk kemi informacion të saktë për datë dhe kohë për takimin. Lidhur, me rikonstruimin e Qeverisë ky është në nivel të partnerëve të koalicionit”, tha Mile Boshnjakovski, ndërsa për më shumë informacione tha të drejtohen në partitë politike.

Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për Çështje Evropiane Bujar Osmani thekson se ndryshimet e paralajmëruara të kuadrit në pushtetin ekzekutiv do të thonë përmirësim i kapaciteteve në lidhje me përforcimin e politikave lidhur me çështjet ekonomike.

Ai sërish paralajmëroi se ndryshimet në Qeveri do të vijojnë pas takimit të Zoran Zaevit dhe Ali Ahmetit, liderët e partive më të mëdha në koalicionin qeveritar.

“Të mërkurën ka pasur takim të shkurtër mes tyre në një ngjarje, por pa hapësirë për t’u hapur këto çështje. Presim këto ditë të realizohet takim tematik për nevojat e përforcimit të kapaciteteve të Qeverisë në pikëpamje të fokusit të çështjeve ekonomike t’i mbyllim temat politike. Të dy liderët e koalicionit kanë konceptin e vet si duhet të përforcohen këto kapacitete dhe duhet të ulen dhe të sjellin vendime konkrete”, theksoi Osmani.

Ai potencoi se pas takimit Zaev – Ahmeti, edhe trupat partiak do të debatojnë për çështjet e njëjta.

Kryeministri Zoran Zaev tha se në fillim të qershorit do të del me ndryshimet në strukturat udhëheqëse në nivel ministror, në institucionet shtetërore, ndërsa në fund të qershorit do të fillojë edhe vertikalisht në komuna ku shteti është i përfaqësuar me disa institucione shtetërore.

“Ende jemi në fazë të reflektimit, e kam konceptin. Kriteret bazë do të jenë arroganca, mospërmbushja e disa pritjeve për qytetarët, raporti joagjil i disa bartësve të funksioneve publike, nepotizmit, pohimeve të Antikorrupsionit, të gjitha aspektet do të rishikohen dhe besoj se do të bëjmë zgjidhje të vërtetë, që do të jenë aspekt serioz për dinamizmin e punës në vend, pasi qytetarët presin tani edhe rezultate konkrete pas gjithë këtyre vendimeve të mëdha politike dhe pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale”, ka thënë Zaev.

Paralelisht paralajmëroi se do të bëhen ndryshime edhe në LSDM.

Ndryshe, Zaev ka përsëritur se në 15 ditët e ardhshme deri në fund të muajit do të sillen vendime serioze për vendin, një pjesë janë e proceseve integruese, siç është marrja e datës për fillim të negociatave me BE-në, e cila varet nga disa vendime të Parlamentit ose ligjit për shërbimet e sigurisë dhe Prokurorisë publike.