Profesorët e Fakultetit Pedagogjik të UT-së morën pjesë në Konferencën ndërkombëtare “Sfidat në Psikologji dhe Edukim në Post-Pandemi”

Drejtuesit e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës të udhëhequr nga dekani, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, i shoqëruar nga prodekania për Arsim, Prof. Dr. Besa Havziu-Ismaili dhe koordinatorja e ECT-së, Dr. Sc. Afërdita Iljazi-Hoxha morën pjesë në Konferencën ndërkombëtare “Sfidat në Psikologji dhe Edukim në Post-Pandemi”.
Konferenca u mbajt në Republikën e Shqipërisë dhe u organizua në partneritet nga Universiteti i Tiranës, Universiteti i Tetovës, Universiteti AAB, Universiteti i Prishtinës dhe universitete të tjera.
Sipas dekanit të Fakultetit Pedagogjik në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, kjo konferencë promovon dhe inkurajon ndërveprimet ndërmjet hulumtuesve shkencor në lidhje me sfidat në psikologji dhe edukim në post pandemi, për arsye se këto sfida na bëjnë që të rishikojmë, rimendojmë dhe riimagjinojmë teoritë, modelet dhe praktikat ekzistuese arsimore për të gjetur modelin e përshtatshëm dhe për të kontribuar në përmirësimin e mirëqenies së studentëve. “Me fillimin e pandemisë, shkollat anembanë botës, në shkallë të ndryshme suksesi, kanë eksperimentuar me mënyra alternative të mësimdhënies, kanë përdorur teknologji dhe kanë bashkëpunuar me palët e interesuara arsimore për të përmbushur nevojat e nxënësve. Si vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor, sot ballafaqohemi me probleme të organizimit të mësimit në distance për studentët me prejardhje të ulët socio-ekonomike, kemi një ndarje digjitale në rritje, një efektivitet të kufizuar të të mësuarit emergjent në distancë dhe një neglizhencë të edukimit holistik. Rrjedhimisht, pandemia ka kontribuar dhe ka intensifikuar stresin fizik, mendor, social dhe emocional të përjetuar nga studentët dhe ka dëmtuar mirëqenien e tyre të përgjithshme. Andaj, organizimi i kësaj Konference Ndërkombëtare në temën boshte që ajo trajton, është mase i qëlluar”, tha mes tjerash dekani i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Konferenca e sipërthënë ofroi një mundësi për ekspertët vendës dhe të huaj të ndajnë mendimet dhe njohuritë e tyre, rezultatet e fituara nga kërkimet shkencore, perspektivat e zhvillimeve të ardhshme dhe aplikimet novatore të rëndësishme për arsimin në përgjithësi, me qëllim të përmirësimit dhe përshtatjes së tij me proceset globale që determinojnë ndryshime në arsim.

Marketing