Profesorët Xhevat Lloshi dhe Rami Memushaj mbajtën ligjërata për organizimin e teksteve të përkthyera dhe për semantikën

Më 7 korrik përfundon trajnimi i 64 përkthyesve dhe lektorëve të institucioneve të ndryshme publike, i nisur dy muaj më parë, ndërkaq në javën e parafundit, ata kishin rastin të dëgjojnë ligjëratat e profesorëve nga Tirana, Xhevat Lloshi dhe Rami
Memushaj, duke trajtuar çështje të organizimit të tekstit dhe të semantikës.

Marketing

Ata e konsiderojnë këtë program trajnimesh të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) si shumë të qëlluar, sepse përveç anës teorike, i kushtohet vëmendje edhe anës praktike.

Pikërisht ana praktike, siç përmend prof. dr. Xhevat Lloshi, bëhet me grupe
të vogla, gjë që është pjesë e organizimit të këtyre trajnimeve. Ai e ka përshtatur temën e ligjëratës së tij, lidhur me organizimin e tekstit gjatë përkthimit, për nevojat dhe kërkesat e përkthyesve, që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë cilësore.

“Ne kemi një gjuhë e cila nuk është krijuar sot, ka një mijë vjet që flitet në këtë gjuhë e 500 vjet që shkruhet, që do të thotë se kemi një traditës historike e kulturore të shqiptarëve”, thotë prof. Lloshi, duke shtuar se për përkthyesin ka rëndësi që të njihen
me traditën kulturore të gjuhës shqipe, por edhe të traditës së gjuhës tjetër, sepse gjatë përkthimit, ata kalojnë nga një traditë kulturore të një gjuhe, në një traditë kulturore të një gjuhe tjetër.

Ai thotë se nuk mund t’u mësohet përkthyesve eliminimi i gabimeve brenda pak orësh ligjëratë, por brenda kësaj kohe, shton ai, “ne mundohemi t’i fusim në rrugë që t’i eliminojnë gabimet, kurse a do të arrijnë qëllimin, varet prej tyre”.

Prof. dr. Rami Memushaj, i cili para së gjithash njihet si autor i fjalorëve drejtshkrimorë, e quan nismë të mrekullueshme programin e trajnimeve të AZGJ-së, pasi ato ia përkujtojnë një ndërmarrje të këtillë të ngjashme të para 47 vjetëve, fill pasi kishte dalë
botimi i “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, kur duhej të kalonin në provim mësuesit e tetëvjeçares dhe të mesmes si dhe gazetarët, redaktorët, lektorët e korrektorët e televizionit.

“Ripërsëritja e kësaj tash këtu, është një nismë e mirë, gjë që duhet të
institucionalizohet edhe te ne në Tiranë, edhe në Prishtinë, ku kujdesi për gjuhën, ka rënë mjaft, ku disiplina e shtetit për gjuhën është zero! Ky trajnim i jep autoritet gjuhës
shqipe këtu në Maqedoninë e Veriut dhe e ngre ligjërimin në nivel më të lartë, sepse procesi është i kontrolluar.”, thotë prof. Memushaj.

Duke ligjëruar për semantikën, rëndësi të veçantë i ka kushtuar ndikimit të sintaksës së një gjuhe në tjetrën.

“Këtu dalim te problemi i ndikimeve në fushën e sintaksës nga gjuhët tjera, këtu në Maqedoninë e Veriut, nga maqedonishtja, në Kosovë nga serbishtja, te ne në Shqipëri nga anglishtja, italishtja etj., dhe prishet struktura semantike e fjalisë, duke u shprehur
me logjikën e gjuhës së huaj”, nënvizon prof. dr. Rami Memushaj.