Profesori amerikan: Serbia po shijon iluzion, pavarësia e Kosovës- realitet i palëkundur

”Serbia duket se e shijon iluzionin se Kosova është ende provincë serbe, përkundër faktit se pavarësia e Kosovës është një realitet i palëkundur”.

Marketing

Kështu fillon shkrimi i profesorit amerikan Alon Ben-Meir i cili më tutje thotë se Serbia e di që pavarësia e Kosovës dhe shteti i Kosovës nuk do të zhbëhen kurrë por nuk e pranojnë këtë, përcjellë Klan Kosova.

“Tani mund të jetë koha e përshtatshme që Serbia të pajtohet me mizoritë e saj të kaluara dhe të patregueshme kundër shqiptarëve të Kosovës. Sa më shpejt që Beogradi të pajtohet me të kaluarën e vet, aq më shpejt mund të fillojë vet-shpëtimin moral pa të cilin do të vazhdojë të prangoset pa asnjë shëlbim të dukshëm. Udhëheqësit serbë duhet t’i bëjnë vetës pyetjen e thjeshtë: në cilat rrethana do të përmbyset pavarësia e Kosovës? Ata e dinë përgjigjen, por nuk kanë guximin moral ta pranojnë se është përtej aftësisë së tyre për ta zhbërë pavarësinë e Kosovës, tani ose kurrë. Ja pse?”, shkruan Ben-Meir, në facebook.

Ben-Meir radhit 4 arsye kyçe pse Serbia nuk mund ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës duke filluar nga mënyra se si ka ardhur ajo, nga gjaku i mijëra viktimave të gjenocidit serb.

“Së pari, pavarësia e Kosovës erdhi përmes rrjedhjes së gjakut shqiptar që e derdhën në një luftë që nuk e kishin zgjedhur ata. Gjaku i burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm e ka dhe vazhdon ta njollosë dhe pusojë Serbinë për sa kohë që ajo nuk pranon të pranojë tmerrin që u shkaktoi kosovarëve. Akti i egër i Serbisë siguron një kujtesë të vazhdueshme për çdo qytetar të Kosovës se pavarësia e tyre është më shumë se politike – është personale; ata nuk mund të falin ose harrojnë nëse Serbia nuk pendohet”, thotë Ben-Meir.

Ai vazhdon duke përmendur njohjet dhe qëndrimin e Bashkimit Evropian karshi Kosovës e gjithashtu duke mohuar mjetet ose ndikimin e Serbisë në tërheqjen e njohjeve të shumta për pavarësinë e Kosovës.

“Së dyti, mbi 100 shtete e kanë njohur Kosovën, përfshirë SHBA-të dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të BE. Fushata e pamëshirshme e Beogradit për të bindur vendet e tjera të tërheqin njohjen e tyre ka dështuar. Në të vërtetë, Serbia nuk ka ndikim ose mjet për ta ndryshuar pozicionin e shumë vendeve që nuk duan të tjetërsojnë shtetet perëndimore që mbështetin Kosovës, vetëm për të akomoduar një vend të gabuar që refuzon ta pranojë dështimin e saj moral”, thekson Ben-Meir.

Gjithashtu, Ben-Meir shton se Kosova së shpejti mund të marrë liberalizimin e vizave dhe pavarësisht qëndrimit të Serbisë, Kosova është në rrugë që një ditë të jetë pjesë e BE-së.

“Së treti, Kosova parashikohet që në një moment të bëhet një vend anëtare e BE-së. Nëse BE arrin në përfundimin se Serbia nuk do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë e fillimit të procesit të integrimit me Kosovën pavarësisht. BE mund të japë gjithashtu liberalizimin e vizave për sa kohë që qeveria e re Kurti fillon të zbatojë me zell reformat socio-ekonomike që ai ka premtuar dhe nëse shkulet korrupsioni si në qeveri ashtu edhe në sektorin privat”, shprehet ai.

Së katërti, Ben-Meir thotë se Biden ka një qasje të veçantë ndaj Kosovës dhe kështu SHBA-të garantojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe Serbia nuk mund ta frikësojë.

“Së katërti, Presidenti Biden ka një prirje të veçantë ndaj Kosovës dhe administrata e tij do të mbështesë përpjekjen e Kosovës për të ringjallur ekonominë e vendit, jo vetëm duke siguruar ndihmë financiare por gjithashtu duke inkurajuar investimet amerikane në sektorin privat. Për më tepër, SHBA-të kanë garantuar sigurinë kombëtare të Kosovës dhe Serbia nuk është më në gjendje ta frikësojë Kosovën – jo tani dhe as në çdo kohë në të ardhmen”, shkruan Ben-Meir.