Projektet me interes për dy shtetet, Kurti nesër viziton Maqedoninë e Veriut

Kryeministri Albin Kurti do të qëndrojë nesër për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, pak ditë pas incidentit në Aeroportin e Shkupit me presidenten Vjosa Osmani.

Marketing

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se gjatë kësaj vizite, për realizimin e së cilës është dakorduar më datën 20 korrik, kryeministri Kurti do të shoqërohet nga ministra të kabinetit qeveritar.

“Atje (Kurti) do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut (Hristian Mickoski), me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, ka thënë Kryeziu.

Kujtojmë, incidenti në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës ndodhi pasi sigurimi i aeroportit, i kërkoi Vjosa Osmanit të dorëzojë telefonin e saj personal.

MPJD e Kosovës i ka dërguar notë proteste Shkupit zyrtar, duke kërkuar sqarime lidhur me këtë rast, ndërsa autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se policia dhe prokuroria do të hetojnë rastin.