Prokurori i SHBA: Nuk do të lejoj që Departamenti i Drejtësisë të përdoret si armë politike

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, tha të enjten se nuk do të lejojë që Departamenti i Drejtësisë “të përdoret si një armë politike”, ndërsa denoncoi “teoritë konspirative” dhe “gënjeshtrat e rrezikshme” që vënë në objektiv organet federale të zbatimit të ligjit.

Marketing

Gjatë një takimi në Uashington me prokurorët amerikanë dhe pjesëtarë të tjerë të Departamentit të Drejtësisë, Zoti Garland mbrojti me forcë integritetin dhe paanshmërinë e departamentit përballë pretendimeve të republikanëve për politizimin e drejtësisë. Zoti Garland tha se normat që mbrojnë departamentin nga ndërhyrja politike tani kanë më shumë rëndësi se kurrë.

“Normat tona janë një premtim se nuk do të lejojmë që ky dikaster të përdoret si armë politike. Normat tona janë një premtim se nuk do të lejojmë që ky vend të bëhet një shtet ku drejtësia të trajtohet si një degë e politikës”, tha zoti Garland gjatë takimit në sallën e mbledhjeve të Departamentit të Drejtësisë.

Komentet e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara vijnë mes një morie akuzash nga republikanët, të cilët pretendojnë se Departamenti i Drejtësisë po përdoret politikisht kundër ish Presidentit Donald Trump. Ndaj republikanit Donald Trump janë ngritur dy akuza të veçanta nga prokurori i posaçëm Jack Smith, të cilin zoti Garland e solli nga jashtë Departamentit të Drejtësisë për drejtuar hetimet.

Zoti Trump është zotuar se nëse votimet e nëntorit e kthejnë atë në Shtëpinë e Bardhë, ai do ta “reformojë plotësisht” atë që e ka quajtur “Departamentin e korruptuar të Padrejtësisë”.

Përmes një shkrimi në rrjetin X, republikani Trump ka kërcënuar gjithashtu se: “do t’i burgos të gjithë ata që janë përfshirë në veprime të paligjshme në votime dhe se ata do të përballen me dënime të gjata me burg në mënyrë që ky rrënim i drejtësisë të mos përsëritet më”.

Kryeprokurori Garland nuk e përmendi emrin e zotit Trump apo republikanët gjatë fjalimit të tij. Por ai i dënoi ato që ai i cilësoi si sulme “mizore” për të cilat thotë se vënë në rrezik organet e zbatimin e ligjit.

“Sulmet kanë qenë në formën e teorive konspirative, gënjeshtrave të rrezikshme, përpjekjeve për të ngacmuar dhe frikësuar punonjësit e karrierës duke i veçuar në mënyrë të përsëritur dhe publikisht, dhe kërcënime për dhunë”, tha zoti Garland. “Përmes punës suaj të vazhdueshme, ju e keni bërë të qartë se Departamenti i Drejtësisë nuk do të frikësohet nga këto sulme”.

Kandidati republikan për president, Donald Trump, e ka përdorur vazhdimisht median sociale për të sulmuar zotin Smith, prokurorë të tjerë dhe gjykatësit që shqyrtojnë çështjet e ngritura ndaj tij.

Republikanët gjithashtu kanë ngritur pretendime pa ofruar prova se çështja e ngritur në Nju Jork, ku zoti Trump u gjet fajtor në muajin maj për 34 akuza, ishte orkestruar nga Presidenti demokrat Joe Biden dhe Departamenti i Drejtësisë.

Kur e mori detyrën, zoti Garland u zotua për riparimin e reputacionit të Departamentit të Drejtësisë për pavarësi politike pas katër vitesh të trazuara nën administratën e Presidentit Trump.

Por ai është përballur me një valë të ashpër kritikash lidhur me trajtimin e çështjeve politikisht të ndjeshme nga dikasteri i tij, përfshirë hetimet ndaj Hunter Biden-it, djalit të Presidentit Biden, i cili deklaroi javën e kaluar se ishte fajtor lidhur me akuzat për evazion fiskal në një çështje të ngritur nga një tjetër prokuror i posaçëm.

Kryeprokurori Garland tha se punonjësit e Departamentit të Drejtësisë e kanë bërë të qartë përmes punës së tyre se “nuk përkulen përballë trysnisë politike” dhe se “nuk do të dorëzohen nën trysni”.

“Ne duhet t’i trajtojmë njëlloj rastet e ngjashme. Nuk ka një rregull për miqtë dhe një tjetër për armiqtë, një rregull për të fuqishmit dhe një tjetër për të pafuqishmit, një rregull për të pasurit dhe tjetër për të varfrit, një rregull për demokratët dhe tjetër për republikanët, ose rregulla të ndryshme në varësi të racës apo etnisë”, tha zoti Garland.

“Përkundrazi, ne kemi vetëm një rregull: ne bazohemi në fakte dhe zbatojmë ligjin në përputhje me Kushtetutën dhe liritë civile”./VOA