Prokurori Xhelal Bajrami pas djegies së veturës së tij: Nuk ka arsye politike, supozoj se është kryer nga kriminelë

Në mëngjesin e sotëm, prokurorit Xhelal Bajrami iu dogj vetura pranë shtëpisë së tij në Kumanovë. Ai në një deklaratë për televizionin Sitel ka demantuar çdo lidhje të këtij incidenti me motive politike, duke supozuar se ngjarja mund të jetë kryer nga grupe kriminale.

Marketing

“Nuk kam indikacione se kush mund të jetë pas kësaj, por supozoj se mund të bëhet fjalë për ndonjë kriminel apo bandë kriminale,” tha Bajrami në deklaratën e tij.

Ai shtoi se nuk ka prova që incidenti lidhet me dy raste të tjera të ngjashme në zonë.
“Nuk mund të them se janë të ndërlidhura këto tre ngjarje, por, ashtu siç thashë, mendoj se ka të bëjë me ndonjë grup kriminal, kriminel të thjeshtë, apo diçka të ngjashme. Sidoqoftë, pres nga organet e shtetit që sa më parë ta zbardhin rastin.”

Ngjarja e Bajramit është pjesë e një serie zjarrvëniesh të qëllimshme të regjistruara në orët e para të mëngjesit në Kumanovë. Sipas raporteve, një lokal afarist, disa makina dhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga flakët që dyshohet se janë ndezur qëllimisht.

Ndër objektet e dëmtuara është edhe një zyrë për kontabilitet dhe përkthime gjyqësore, e cila ndodhet përballë Gjykatës Themelore të Kumanovës dhe rezulton në pronësi të Fitor Jakupit, këshilltar në Kuvendin Komunal të Kumanovës.

Organet hetimore vazhdojnë punën për zbardhjen e motiveve dhe kapjen e autorëve të mundshëm.