Prokuroria Publike Themelore vazhdon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik të autobusit në fshatin Llaskarcë. Nga organi ndjekës, për Televizionin Alsat bëjnë të ditur se vijon dëgjimi i dëshmitarëve okularë si dhe pasagjerëve të mbijetuar. Ditëve në vijim pritet që të dëgjohet edhe deklarata e shoferit që po ngiste autobusin ditën kur u aksidentua.
Për të pasur një pasqyrë të qartë të ngjarjes, organi hetues do t’i kryqëzojë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Mjekësisë Ligjore, raportet e obduksionit si dhe ekspertizën e automjetit nga Fakulteti i Makinerisë.
Ndërkaq gjendja e të lënduarve nga aksidenti tragjik i 13 shkurtit mbetet e njëjtë. Pesë persona vazhdojnë të jenë në gjendje kritike, tre prej të cilëve në Klinikën për reanimacion dhe kujdes intensiv ndërkaq dy të tjerë në Spitalin “8 Shtatori”.
Gjithsej 22 pacientë mbeten të hospitalizuar, 16 prej të cilëve në spitalin ushtarak. Gjatë ditës së sotme janë lëshuar për në shtëpi edhe dy pacientë të tjerë, ndërkaq më e rëndë paraqitet gjendja e 19-vjeçares të cilës i është amputuar këmba ditë më parë.
Gjendja e pacientit më të ri të tragjedisë së ndodhur javën e kaluar, 15-vjeçarit nga Gostivari është duke u përmirësuar, ndërsa në gjendje më të mirë shëndetësore janë edhe disa nga të lënduarit e tjerë ndër të cilët edhe gruaja shtatzënë./Alsat/