Prokuroria po “rrjedh” / Kush nxjerr dokumente nga PPTH?!

Incizimin për të cilin i pari i Prokurorisë publike supreme, Mustafa Hajrullahi, pohon se e ka marrë nga një informatorë, e që më pas përmes televizionit kombëtarë e shpërndau me opinionin, shkaktoi reagime të shumta para së gjithash nga shoqatat e gazetarëve. Në atë incizim, siç thotë Hajrullahi, një femër ia dorëzon një dosje për punën e Prokurorisë supreme një gazetares, që më pas ajo e ka publikuar në median e saj të shkruar. Problemi është në atë që, siç thotë, atë raport ata si prokurori ende nuk e kanë marrë. Në pyetjen se pse ka dalë në opinion me video incizim, Hajrullahi për TV21 deklaroi:

“Nga Prokuroria publike përmes një anëtari të afërt të familjes së një prokurori të lartë publik të pozicionuar, rrjedhin infomracione përmes një gazetari të caktuar. D.m.th. në rastin konkret nuk përmenda as emra, as mbiemër të burimit të informacionit, e as emrin e mbiemrin e gazetarit apo medias së shkruar. Qëllimi im ishte që të informohet opinioni, për fat të keq, për dukuritë negative në prokurori, se përmes të afërmve nxjerrin informacione që nuk duhet nxjerrë në mënyrë të tillë në opinion. Unë nuk jam kundër asaj që opinioni të njoftohet, larg kësaj”, u shpreh Mustafa Hajrullahi, Prokuroria Publike Supreme.

Marketing

Shefi i Prokurorisë supreme, thotë se nuk e ka ditur se cili është personi në incizim, derisa nuk i ka treguar informatori, ndërsa e ka kuptuar që bëhet fjalë për raportin pasi që ai është publikuar nga gazetarja.

“Unë me atë që dola dhe njoftova se informatori më ka dorëzuar materialin, ku qartë shihet se një femër i jep një dosje një femre tjetër, që më pas publikohen informacione në shtypin ditor që u publikua javën e fundit, nuk shoh që unë në ndonjë mënyrë kam publikuar informacione personale të dikujt”,shtoi Hajrullahi.

Hajrullahi thotë se nuk do ta dërgojë incizimin në Prokurorinë publike, për shkak të arsyeve që ai i di, por vetëm do t’i procedojë deri te Ministria për punë të brendshme prej të cilës pret që të ngrit procedurë.
Nga ana tjetër, sipas informacioneve, PPTH tashmë vepron për rastin me incizimin. Gazetarja e Slloboden Peçat, Mirosllava Simonovska, e cila vetë u prononcua përmes rrjeteve sociale dhe zbuloi se ajo është në video incizim, ka ngritur padi penale kundër personit N.N. për incizim të fshehtë. Megjithatë ajo pohon se personi me të cilin ka qenë ulur është një mike e saj dhe se nuk e ka marrë raportin ashtu siç pohon Hajrullahi.

“Në video ka një pjesë të incizimit të incizuar në kafenenë Plaza de toros në QTQ, ku isha ulur me një mike. Personi që ka marrë materialet në video incizim jam unë. Materialet, përkundër asaj që është shkruar në kronikë, nuk është raporti nga kontrolli i bërë në Prokurorinë publike supreme. Raportin nuk e kam”, tha Mirosllava Simonovska, gazetare e Slloboden Peçat.

Nga ana tjetër Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, shprehën shqetësim serioz për shkak të, siç theksojnë, shkeljes së fundit të të drejtave themelore të gazetares Mirosllava Simonovska, për shkak të incizimit të paautorizuar dhe shpërndarjes së videos ku ajo kinse pranon dokument.

Hajrullahi në periudhën e kaluar ka qenë aktual pasi publikisht akuzoi shefin e Prokurorisë publike republikane, Lupço Koçevski për presion të drejtpërdrejtë ndaj tij, për lëndën e bonuseve në ish Prokurorinë speciale. Për këtë shkak Hajrullahi vlerëson se kontrolli i kryer në Prokurorinë superme është produkt i një hajke të organizuar dhe personit ndaj tij. Koçevski nga ana tjetër në mënyrë kategorike demantoi se ka kryer presion.

Marketing